Sport

Mourinho: PSG mund të ketë telefonuar, me gjasë s’kam qenë në shtëpi


Trajneri i Romës, Jose Mourinho qesh me thashethemet që e lidhin atë me një transferim në PSG.

“The Special One” u pyet për interesimin e kampionëve të Francës për të, por përgjigjja e tij ishte epike.

“PSG mund të ketë telefonuar, me gjasë s’kam qenë në shtëpi”, tha një Mourinho duke buzëqeshur për “Sky Sport Italia” të mërkurën përpara një konference për shtyp para ndeshjes që ekipi i tij do të përballet me Bayer Leverkusen-in në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.

Trajneri portugez ka një kontratë deri në vitin 2024 në “Stadio Olimpico”, por ka qenë shumë i lidhur me një lëvizje në Paris, ku ai do të zëvendësonte Christophe Galtier, i cili do të shkarkohet pas përfundimit të sezonit.

Raportet e fundit në Francë sugjerojnë se gjigantët e Ligue 1 kanë bërë kontakte me Mourinho-n, por ai insistoi se ai nuk kishte dëgjuar asgjë lidhur me këtë lajm.

Roma do të takohet të enjten në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Evropës me Bayer Leverkusen-in, që po kalojnë në një formë të shkëlqyer të drejtuar nga Xabi Alonso.

“Ata janë ndër skuadrat më të mira në Evropë për kundërsulme”, tha Mourinho për kundërshtarin e së enjtes.

“Ata janë shumë të rrezikshëm në këtë aspekt të lojës, mbrojnë, presin që kundërshtari të humbasë topin dhe më pas është e vështirë t’i ndalosh. Ata kanë shumë lojtarë sulmues të shpejtë”, shtoi tekniku portugez.

Paulo Dybala dhe Gini Wijnaldum u panë në stërvitje këtë mëngjes, por Mourinho tha se do të jetë thuajse e pamundur që ata të startojnë nesës.

“Është e vështirë, nuk po them e pamundur, por është e vështirë. Nuk e di sa kohë mund të luajnë. Nesër në mëngjes do të shohim nëse mund të fillojnë apo jo. Ata po bëjnë më të mirën për t’u rikuperuar dhe ne e përgatisim ndeshjen me ta dhe pa ta”, tha mes tjerash Mourinho në konferencën para ndeshjes.

Dybala pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës në humbjen me rezultat 3:1 kundër Atalanta-s më 24 prill, ndërsa Wijnaldum u dëmtua në sfidën e kaluar të Ligës së Evropës kundër Feyenoord-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore