Shqipëria

Moti ekstrem/ Balluku qetëson qytetarët: Kemi marrë masat, por mos shpërdoroni energjinë


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka siguruar qytetarët se, pavarësisht motit ekstrem që pritet përgjatë fundjavës dhe fillimit të javës tjetër, çdo masë është marrë në gjithë Shqipërinë për mbarëvajtjen e jetës.

“Me të vërtetë do të kemi temperatura të ulëta minus rekord që do të krijojnë problem”, bëri me dije nëpërmjet një postimi ministrja, por “kemi marrë masat në të gjithë Shqipërinë”.

Ajo shtoi se kaskadat kryesore në vend po prodhojnë energji elektrike me fuqi të plotë. Për këtë arsye, do të ketë një presion të madh mbi sistemin energjetik dhe kjo do të bëjë që vendi t’i drejtohet importit.

Avaritë e ndryshme janë të pritshme në pesë ditët e ardhshme. Për këtë fakt, ministrja ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve.

Ndërsa, një thirrje ka ardhur edhe për sa i përket konsumit të energjisë elektrike.

“Për shkak të konsumit të madh, do të kërkoj që të mos shpërdorojmë energjinë. Të kuptojmë që kjo është një situatë e jashtëzakonshme”, ka theksuar ajo.

Teksa, në përmbyllje, ka kërkuar edhe vëmendjen e udhëtarëve, që të ndjekin rregullat e qarkullimit rrugor për akse të ndryshme. Kjo, për të mbajtur të hapur çdo segment kalimi në të gjithë Shqipërinë, pavarësisht kushteve atmosferike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore