Lajme

Moska është shkëputur nga realiteti


“Sigurisht që është Ukraina”.

Kështu tha sekretari rus i Këshillit të Sigurimit, Nikolai Patrushev, teksa buzëqesh dhe ngre vetullat kur i përgjigjet pyetjes së gazetarit “a ishte ISIS apo Ukraina”, sikur të ishte diçka e dukshme.

Sikur të mos ishin 40 milionë ukrainasit që jetonin nën një breshëri bombash, sikur të ishte një shaka.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm Sergey Lavrov përcaktoi hipotezën se ishte një masakër e kërkuar nga ISIS si “e përshtatshme për Perëndimin”.

Po ashtu njoftoi se Rusia refuzoi ofertën e Interpolit për bashkëpunim sepse “do të ishte projektuar për të promovuar këtë ide”.

Hetimi nuk ka përfunduar ende, por rezultatet e tij tashmë janë shpallur dhe drejtori i shërbimeve sekrete të FSB-së Aleksandr Bortnikov flet për “gjurmën ukrainase” të zbuluar nga rrëfimet e terroristëve të arrestuar.

Ndoshta masakra në qendrën e Crocus-it ishte më e pasuksesshmja në karrierën e përgjakshme të xhihadistëve, jo aq nga pikëpamja e përfundimit tragjik, por sa i përket ndikimit të saj mediatik.

Paçka se vetë ISIS vazhdon të marrë përgjegjësinë për sulmin, duke publikuar video monstruoze të vrasjeve të civilëve rusë dhe duke kërcënuar Kremlinin, Moska vazhdon t’i injorojë.

Sipas regjimit, të besosh pretendimet e islamistëve, do të thotë të luash në duart e perëndimorëve, të cilët janë fajtorët e vërtetë të asaj që ndodhi.

Bortnikov flet për përfshirjen e shërbimeve sekrete të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.

Referuar tezës në fjalë, islamistët e ISIS-it u trajnuan në Lindjen e Mesme nga ukrainasit, të cilët nga ana e tyre manipulohen nga anglo-saksonët, dhe Putin-i e kishte bërë të qartë në të kaluarën se ai i konsideronte Al Kaedën dhe ISIS-in si krijime të shërbimeve perëndimore.

E nëse dikush përpiqet të bashkojë një president hebre si Volodymyr Zelensky dhe luftëtarët e xhihadit, mjafton t’i kërkohet zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov të sqarojë dyshimet e tij.

Kur pyetet për këtë kontradiktë, ai shpjegon se lideri ukrainas është “disi hebre i veçantë”, i ndjeshëm ndaj “frymës nacionaliste të regjimit të tij”.

Terroristët islamikë dhe ukrainasit “nazistë”, CIA dhe Interpol, NATO dhe ISIS, një koktej konspirativ për t’u shkundur, por jo për t’u përzier.

Sipas rrëfimeve më delirante në galaktikën sociale, ky koktej është ngritur në pozicionin zyrtar të një vendi që mbahen si një “fuqi e madhe”, presidenti i të cilit – i konsideruar prej vitesh edhe nga shumë perëndimorë kritikë si një mjeshtër i madh i gjeopolitikës, falë trajnimit të tij në KGB – duket se nuk i kushton ndonjë rëndësi papajtueshmërisë së dukshme midis të krishterëve, hebrenjve, islamikëve fundamentalistëve.

Të gjithë janë armiq të Rusisë, urrejtja ndaj Moskës bashkon armiqtë e betuar dhe Washington-i qeveris botën duke tërhequr fijet në Ukrainë si në Taxhikistan, në një manifestim të plotfuqisë së djallëzuar dhe të përsosur të filmit të James Bond-it.

Në një spektakël surreal, gjykata e Putin-it e kënaq atë në konfirmimin e paranojës së tij dhe ia propozon në botë, duke përmendur si burim rrëfimet e terroristëve taxhik që vetë shërbimet ruse mburren se i kanë torturuar përpara kamerave.

Një mënyrë e mirë për t’i bërë njerëzit të harrojnë një dështim të bujshëm, pasi kanë injoruar paralajmërimet për një sulm ndaj Moskës të ngritura nga amerikanët.

Dhe kanë vonuar përpjekjet e shpëtimit për viktimat e terroristëve.

Në tragjedinë e re ruse, ajo që është ndoshta më e habitshme është shkëputja tashmë përfundimtare nga realiteti dhe shfaqja e vetëkënaqur e dhunës.

Terroristët e dyshuar u ekspozuan në gjykatë të rrahur për vdekje.

Njëri ishte në një karrige me rrota, me kateterin e lidhur, me sa duket në koma, tjetri me fashë në vend të veshit të prerë gjatë arrestimit.

I treti ende me një qese plastike rreth qafës e cila ndoshta ishte përdorur për ta mbytur.

Torturat nuk u fshehën, as u mohuan, por u shfaqën me krenari.

Është e vështirë të besosh seriozisht “rrëfimet” që mund të prodhojnë këta personazhe, por Putin-i nuk duket më i interesuar të shfaqet i besueshëm apo i respektuar.

Kohët në të cilat ai iu ofrua Perëndimit si një aleat i krishterë dhe evropian në luftën kundër terrorizmit xhihadist kanë kaluar prej kohësh.

Kohët kur ai donte të kënaqte botën janë një kujtim.

Dhe kur Putin-i thirret në “vlerat e humanizmit” që Rusia duhet të ketë si fener, dyshimi i tmerrshëm është se ukrainasit duhet të përgatiten për të përjetuar pasojat.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore