Stil

Moshat e reja dhe tepria me pijet energjike


Një student 21-vjeçar rrezikoi jetën nga mosfunksionimi i zemrës si rezultat i konsumit “të tepruar” të pijeve energjike, sugjeron një raport i ri.

Për dy vite rresht, i riu piu katër pije energjike 500ml në ditë, sipas Raportit nga British Medical Journal.

Ai kaloi 58 ditë në spital, përfshirë njësinë e kujdesit intensiv të cilën ai e përshkroi si “traumatizues”.

Para pranimit në spital, ai vuajti bllokimin e frymëmarrjes dhe humbjen e peshës për katër muaj.

Mjekët që e trajtuan atë konsideruan një numër diagnozash, por arritën në përfundimin se: “Kardiotoksiciteti i nxitur nga pijet energjike mund të ishte shkaku më i mundshëm”.

Një transplant organesh u mor në konsideratë pasi testet zbuluan se zemra dhe veshkat e tij kishin ndaluar së funksionuari. Mosfunksionimi i veshkave lidhej me një gjendje të qëndrueshme, por të padiagnostikuar më parë.

Pacienti pa emër kontribuoi në raport dhe nuk ishte në gjendje të vijonte studimet e tij universitare tre muaj para pranimit në spital për shkak të shëndetit të tij.

“Kur pija deri në katër pije energjike në ditë, vuajta nga dridhjet dhe aritmia e zemrës, të cilat ndërhynë në aftësinë time për t’u përqëndruar në detyrat e përditshme dhe studimet e mia në universitare”.

Pas nëntë muajsh funksioni i zemrës së tij u duk se u kthye me “funksion të prekur lehtë”, por raporti tha se ishte e vështirë të parashikohej shërimi ose potenciali për rikthim.

Studenti vuante nga dhimbje koke të rënda migrenë të cilat “shpesh ndodhin gjatë periudhave” kur ai nuk konsumonte pije energjike.

“Kjo gjithashtu kufizoi aftësinë time për të kryer detyra të përditshme dhe madje edhe aktivitete të kohës së lirë të tilla si të shkuarit në park ose të shëtiturit”, tha ai.

Ai mendon se duhet të ketë më shumë vetëdije për pijet energjike dhe efektin e përmbajtjes së tyre.

“Unë besoj se ato janë shumë problematike dhe shumë të akesueshme për fëmijët e vegjël. Unë mendoj se etiketat paralajmëruese, të ngjashme me pirjen e duhanit, duhet të bëhen për të ilustruar rreziqet e mundshme të përbërësve në pijet energjike”, shtoi ai.

Kjo vjen pasi një studim i veçantë i bërë nga studiuesit në Universitetin e Cardiff-it analizoi përgjigjet e një sondazhi shëndetësor të më shumë se 176 mijë fëmijëve të shkollës së mesme në Uells të moshës 11 deri në 16 vjeç midis 2013 dhe 2017.

Ai zbuloi se 6% e nxënësve pohuan se pinin pije energjike në bazë “ditore”, një trend i cili nuk ndryshoi me kalimin e kohës.

Autori kryesor i studimit Dr. Kelly Morgan tha se kishte një ndryshim në konsum midis atyre nga grupet e ulta dhe të larta socio-ekonomike.

“Fushatat e marketingut për pijet energjike shpesh u drejtohen atyre me prejardhje më të pafavorshme”.

Popullariteti i tyre nuk kishte gjasa të goditej nëse masat e politikës nuk “viheshin në vend”, shtoi Dr Morgan.

Përshtatur nga BBC për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore