Lajme

Mos-vlerësimi i rolit të familjes, shkak i divorceve të shpeshta në Kosovë


Ilustrim

Sikur format e familjes që janë të shumëllojshme, edhe arsyet për ndarje dhe divorc mund të jenë të ndryshme.

Ato mund të jenë nevojat e parealizuara emocionale të çiftëve, qasjet e ndryshme edukative dhe mirëkuptimi i roleve në kuadër të familjes. Mirëpo edhe mungesa e komunikimit dhe aftësisë për zgjidhjen e konflikteve mund të çojnë në ndarje.

Në shumicën e rasteve ndarja është rezultat i një peshimi të gjatë të gjendjes. Frika, që ndarja do të ketë pasoja të fëmijët, pasiguria financiare, eventualisht humbja e pasurisë që posedojnë, bëjnë që të ketë ngarkesë tepër të madhe.

Për këto arsye shumica e çiftëve vendosin së pari për ndarje për një kohë, i cili vendim është kuptimplotë, me qëllim që të krijohet qartësia lidhur me fatin e bashkëshortësisë dhe një mundësi e mirë që me një distancë t’i peshojnë përparësitë dhe të metat e lidhjes.

Në Kosovë, janë 808 çifte që kanë vendosur t’i japin fund martesës së tyre.

Këto statistika tregojnë numrat e divorceve për vetëm 6 muajt e parë të vitit 2021, nga muaji janar deri në qershorë, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Edhe tek çiftet shqiptare, shkaqet e shkurorëzimit janë të shumta, por ato më të shpeshtat, të cilat shtyjnë të martuarit ti japin fund lidhjes së tyre janë martesat e hershme, konfliktet e bashkëshortëve, diferencat në moshë, shkaqet ekonomike etj.

Sociologu, Ferdi Kamberi, në një intervistë të shkurtër për Albanian Post ka treguar se arsyet që shtyjnë një çift të marr vendimin për divorc kanë karakteristika të ndryshme, duke nisur nga vlerësimi i rolit të familjes.

“Sociologët divorcin e lidhin me ndryshimin e strukturës së familjes kosovare, pastaj konfliktet në mes të bashkëshortëve (mos koordinimi, mos kompromisi adekuat)”.

Kamberi vlerëson se në shoqërinë tonë ka rënë shumë vlerësimi i rolit të familjes.

“Dobësimi i rolit në familjen kosovare, rënia e një prestigji familjar krahasuar më parë, diferencat në moshë ku shumica e vajzave martohen të reja dhe ende nuk ka një pjekuri psikologjike dhe sociale andaj vie deri tek ndarja”, ka shtuar ndër të tjera Kamberi për Albanian Post.

Sipas tij, edhe faktorë tjerë mund të “jenë edhe kriza e sistemit të vlerave, konfliktet e ndryshme në familje, shkaqeve ekonomike, etj”.

Ai ka treguar se divorci fenomen nuk mund të përjetohet lehtë, andaj edhe ka pasojat e tij.

Personat që divorcohen mund të përjetojnë edhe disa probleme.

“Depresion të vazhdueshëm, ankth, fobi sociale, agresivitet të lartë, izolim social, pasiguri në jetë, pesimizëm të thellë psikologjik, si dhe shumë pasoja tjera”, u shpreh ai.

Edhe fëmijët mund të përjetojnë pasoja nga ndarja e prindërve.

“Pasojat më të rënda janë për fëmijët të cilët kanë një ndrydhje psikologjike apo atë që quhet ,,latent’’ e fshehur pra, e cila i bartë ata deri në periudha të ndryshme e që manifestohen në mënyra të ndryshme”, ka deklaruar në fund Kamberi.

Tabela e shkurorëzimeve e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore