Sport

Mori kategorinë e parë të arbitrimit në UEFA, Jorgji: Arritje, jo vetëm sukses


Gjyqtari shqiptar i futbollit, Enea Jorgji, pak ditë më parë u bë pjesë e kategorisë së parë të arbitrave në UEFA. Vendimi erdhi pas mbledhjes së Komitetit të Arbitrave në UEFA.

Kjo është hera e parë në historinë e Shqipërisë, që një arbitër do të jetë në nivel të tillë për të gjykuar ndeshjet ndërkombëtare.

Jorgji tashmë do të ketë shansin të arbitrojë ndeshjet paralemminatore dhe eleminatore, përpara fazës së grupeve në Champions League.

Ndërsa në UEFA Europa League dhe Conference League do të ketë mundësinë të arbitrojë edhe në fazën e grupeve. Edhe për kombëtaret, ai tashmë ka të drejt të arbitrojë në fazat eleminatore.

Suksesi i Jorgjit është një sukses për gjithë sportin shqiptar, duke qenë se është i pari që ka arritur diçka të tillë.

Në një prononcim për Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), gjyqtari nga Elbasani ka folur rreth karrierës së tij dhe asaj çka pret në të ardhmen.

37-vjeçari e ka vlerësuar karrierën e tij të deritanishme si “një betejë e vazhdueshme vit pas viti, e cila ka sjellë disfata hera herës, por dhe suksese e arritje të merituara ndër vite”.

Për të ka shumë momente të bukura gjatë kohës që arbitron, por ai ka veçuar një si më të paharrueshmin.

“Ka shumë momente të bukura, por një ndër ato ka qenë kur kam arbitruar Spanjën, Kampione Evrope dhe Bote, në eliminatoret e para dy viteve”, tha Jorgji.

Teksa foli për ngjarjen më të fundit, ku ai u bë pjesë e kategorisë së parë të arbitrimit në UEFA, elbasanasi tha se ishte një emocion jo i zakonshëm, nga ato që mund t’i kishin ndodhur në raste të tjera.

“Lajmi sigurisht që më përcolli një emocion mjaft të madh dhe jo të zakonshëm, sepse për të qenë të vërtetë kjo arritje është jo vetëm një sukses, por akoma më shumë është një tabu që thyhet për herë të parë në historinë e arbitrimit shqiptar për të pasur një përfaqësim në të tilla nivele”, theksoi gjyqtari.

Në fund, 37-vjeçari ka një mesazh për kolegët dhe mbështetësit e tij, si dhe për ata që duan të ndjekin këtë rrugëtim.

“Dua të them që ia dola, ia dola së bashku me ju të cilët keni dhënë kontributin tuaj sado pak apo shumë në këtë sukses dhe sot jo vetëm që kemi ndezur drita të forta shpresë që arbitrimi shqiptar të ketë progres ndër breza, por kemi dhënë dhe shembullin e mirë se si me punë e përkushtim e sigurisht durim mund t’ia dalësh të arrish atë që kërkon”, përfundoi Jorgji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore