Kosova

Molliqaj: Rënia e bllokut A3 dhe A5 e qëllimshme, KEDS-i gjatë natës shet energji jashtë vendit


Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se kanë informacione nga burimet brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), se rënia e Bllokut A3 dhe A5 është bërë qëllimshëm.

“Në bazë të burimeve tona brena KEK-ut janë duke u zhvilluar tri problematika të theksuara që e rëndojnë edhe më tutje sistemin e energjisë në Kosovë. E para tashmë ka ndodhur. Sipas burimeve tona 10 ditë më parë ka pasur rënie të Bllokut A3 dhe A5, kishte mungesë të shtuar të energjisë elektrike”, deklaroi Molliqaj në një konferencë për media.

Ndërkaq, ai thotë se dyshimet kryesore janë që kjo prishje është shkaktuar nga KEDS-i.

“Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë hetim të organeve përgjegjëse dhe të ekspertëve të fushave, rënia e Bllokut A3 dhe A5  brenda ditës duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i”, ka thënë Molliqaj në konferencë për media.

Sipas tij, “KEDS-i gjatë natës shet energji jashtë vendit dhe kjo ka të bëjë me marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për shitblerjen e thëngjillit të Kosovës”.

Për këtë i ka kërkuar transparencë Qeverisë së Kosovës.

“Në bazë të informatave që i kemi, është hera e parë që në Kosovë, MZHE po merret me marrëveshje të tillë për të shitur thëngjillin. Është hera e parë që ministria bën një gjë të tillë pa përfshirë ekspertët dhe KEK-un. Dyshimet janë që për çmimin potencial që Kosova do ta ofrojë për shitje do jetë 20-17 euro”.

“Ajo që llogaritet tjetër është që për 16 euro për tonë është kostoja e transportit dhe nëse ky çmim është i vërtetë, kemi të bëjmë me 31 milionë diferencën mes asaj që qeveria e Maqedonisë është e gatshme ta blejë dhe aq sa do ta blejë nga Kosova.

Për këtë i ka kërkuar transparencë Qeverisë së Kosovës.

“Është urgjente që qeveria e Kosovës të bëjë transparencën, negociatat për këtë çështje. Jemi kundër të ketë diskrepancë kaq të madhe mes ofertës që është vendosur nga prokurimi publik dhe shitjes që mund të bëhet. Kjo është zhvatje potenciale”.

Po ashtu, Molliqaj shton se dyshojnë që KEDS-i këtë veprim e ka bërë në bashkëpunim me menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj në konferencë për media.

“Në mungesë të shkarkimit të rrymës dhe kthimit të rrymës nga KEDS drejt termo-elektranës A3 dhe A5 ka ndodhur dëmtimi i qëllimshëm i saj. Ne dyshojmë që nëse vërtetohet se ka qenë një veprim i tillë në bazë të asaj që ne kemi informatë është lehtë e vërtetueshme nëse do të ketë hetime.

“Kjo i bie që ka pasur qëllim KEDS-i në bashkëpunim edhe me Qeverinë dhe me menaxhmentin e ri, të dëmtojë reputacionin e kompanisë publike KEK, dhe të thotë se mungesa e energjisë është e shkaktuar nga mungesa e prodhimit dhe problemeve në KEK”, deklaroi ai.

Sipas tij, sulmet e qeverisë vetëm ndaj kompanisë publike KEK bëjnë që të ketë dyshime.

“Mos harroni pas se shumë viteve Kosova është duke prodhuar energji elektrike mbi kapacitet vendor dhe mos harroni që kompania KEK është kompani fitimprurëse nuk punon me humbje”.

Në emër të PSD-së , ai ka kërkuar hetime të menjëhershëm për këtë rast.

“Ne kërkojmë hetim të menjëhershëm nga organet kompetente, kërkojmë raport nga menaxhmenti i KEDS-it dhe i KEK-ut për këtë dhe kërkojmë angazhimin e ekspertëve për ta luftuar një dukuri të tillë”.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 51 të mbajtur të premten e 24 dhjetorit, ka ndërmarr një vendim lidhur me shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh.

Ky vendim nga ana e Qeverisë erdhi pasi Kosovën e ka përfshirë kriza energjetike.

Dy protesta kundër reduktimit të rrymës

Për të hënën e 27 dhjetorit janë paralajmëruar dy protesta kundër reduktimeve të energjisë elektrike.

Mirëpo, para protestave do të zhvillohet një konferencë për media e cila do të mbahet të shtunën e 25 dhjetorit, ku edhe do të jepen detaje për organizimin.

Organizatorët e protestës kërkojnë nga KEDS-i rrymë 24 orë/7 ditë në javë, shkarkimin e Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli si dhe nacionalizimin e KEDS-it.

Protestë

Ndërsa në një event në rrjetin social Facebook u është bërë ftesë qytetarëve të Kosovës që të bashkohen në protesta, siç i quajnë mbarëkombëtare kundër manipulimeve dhe papërgjegjësisë të vazhdueshme të KEDS-it ndaj qytetarëve të vendit.

“KEDS bashkë me Qeverinë na e kanë kthyer terrin në Kosovë. Gjatë kësaj jave, Qeveria dhe KEDS-i na informuan se do të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike”.

“Sipas njoftimit zyrtar të tyre, reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë”, thuhet në njoftimin e protestës duke lidhur vendimin e Qeverisë së 24 dhjetorit.

Gjithashtu, në paralajmërim të organizatorëve të protestave, thuhet se KEDS-i është duke dështuar që t’i përmbushë obligimet e saj për furnizimin me energji elektrike 24 orë/7 ditë në javë.

“Në anën tjetër, këtë dështim Qeveria është duke na e faturuar neve, duke e subvencionuar KEDS-in me 20 milionë euro nga paraja publike”, thuhet në paralajmërim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore