Stil

Modë e personalizuar apo personalizim i modës


Stilet dhe llojet e veshjeve janë gjithmonë e në zhvillim. Kemi parë pafund marka apo personazhe që na këshillojnë për trendët e fundit të tyre. Por si thoni për veshjet që janë enkas të personalizuara për ju?

Secili prej nesh do të dëshironte një bluzë që shkon sipas gjendjes sonë emocionale, momentit apo dhe personalitetit tonë.

Kohët e fundit, modelet e tilla të të veshurit janë kthyer në një trend. Të paktë janë ata që nuk ju gjendet një bluzë e personalizuar në gardërobën e tyre.

Personalizimi i tyre nuk është vetëm modë, por mënyrë për t’u ndjerë i lumtur, për t’u ndjerë i veçantë. Në një mënyrë apo një tjetër na përfaqëson neve.

Në një prononcim për Albanian Post, Studio Shkodra në kryeqytet u shpreh se kërkesat për veshje të personalizuara janë gjithmonë e në rritje.

       

“Gati çdo ditë kemi kërkesa për bluza të personalizuara. Në biznesin tonë ka mundësi të ndryshme zgjedhjesh qoftë edhe për fotografi, apo produkte artizanale. Por kohët e fundit kryesojnë bluzat me mbishkrime”, shprehen ata.

Po ashtu dhe Print Point Studio gjatë komunikimit me Albanian Post tha se “ kultura e dhuratave të personalizuara, kryesisht viteve të fundit ka pasur shumë sukses në Shqipëri. Për këdo mbetet një dhuratë që vlen për shumë gjatë”.

Diçka që nuk do të jetë kurrë demode është personalizimi. Siç dëgjojmë shpesh shprehjen “nuk e ndjek modën, moda më ndjek mua”. Ndoshta, nuk do të jetë trend, ndoshta nuk do të vazhdojë me të njëjtat ritme që është sot, por është e sigurtë që do të jetë gjithmonë pjesë e zgjedhjeve të njerëzve.

Kjo është mënyra për të bërë dikë të ndihet i veçantë. Mënyra për të shprehur në rutinën tonë, momente të veçanta. Për të uruar dikë në formën që askush nuk e bën, për të bërë njerëzit të ndihen unik atëherë zgjidhja është e thjeshtë. Dhurojuni bluzën e tyre të personalizuar!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore