Lajme

Mitrovicë: Vritet një polic në poligonin e qitjes


Ilustrim

Në poligonin e gjuajtjes në Cërnushë të Mitrovicës është vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës me armë zjarri.

Sipas burimeve të Albanian Post, polici është vetëvra aksidentalisht derisa ishte duke hyrë në veturë kur edhe i ka shkrepur arma, pas aktivitetit që kishte zhvilluar në poligonin e gjuajtjes.

Albanian Post ka provuar të kontaktojë Policinë e Kosovës në Mitrovicë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri më tani.

Ilustrim

Mirëpo, më vonë Policia e Kosovës me anë të një komunikate për media ka bërë të ditur vdekjen e policit me iniciale B.T.

“Sot rreth orës 10:28, është raportuar se në poligonin e gjuajtës së Policisë në fshatin Cerrnushë të Mitrovicës, një polic është plagosur me armë derisa ai kishte qenë në gjuajtje me armë zjarri në kuadër të trajnimit të rregullt periodik (ri-certifikimi)”.

“Polici i plagosur është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, mirëpo nga ana e personelit mjekësor është konstatuar vdekja e policit B.T.,44 vjeçar, punonjës në Drejtorinë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftim.

Policia bënë të ditur se sipas informatave të para “rasti ka ndodhur aksidentalisht”.

Në vendin e ngjarjes sipas tyre kanë dalë njësitet kompetente të Policisë, por edhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët do të vazhdojnë hetimet në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin e shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore