Shqipëria

Misteri ‘Top Channel’ – Kush vendosi ta sulmojë dhe pse?


Nga një automjet i tipit “Range Rover Sport” i vjedhur para tre vitesh u hap zjarri që goditi fasadën e Top Channel dhe fatkeqësisht trupin e një punonjësi të sigurisë që humbi jetën.

Ngjarja që tronditi jo pak opinionin publik ndodhi në orën 00:30 të 27 marsit, kur persona të paidentifikuar sulmuan me kallashnikov godinën.

Ata janë ende në arrati dhe e vetmja shenjë e lënë pas është mjeti i djegur në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në të cilën ndodheshin dy armët e zjarrit model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin (targat e vjedhura në Tiranë apo edhe gëzhojat e plasura).

Po ashtu kamerat kanë fiksuar vetëm një moment atë të mbërritjes pranë televizionit në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë.

Kështu drejtoria e Policisë së Tiranës realizoi dinamikën se si ndodhi sulmi i rëndë, por motivet pas tij janë ende të paqarta.

Policia vetë thotë se, ka analizuar provat duke përcaktuar kështu disa versione hetimore.

Stafi dhe drejtuesit e televizionit ishin të thirrur nga efektivët dhe dëshmuan prerazi se nuk kishin asnjë konflikt të hapur me askënd.

Gjyqi i fundit mes aksionerëve, aktiviteti i këtij televizioni, investigimet e ndryshme, çështjet personale të stafit apo dhe Big Brother.

Këto janë tezat që qarkullojnë vazhdimisht në media, por të pakonfirmuar në asnjë burim zyrtar.

Sa i takon çështjes së parë, jo më pak se dy muaj më parë u zgjidh në gjyqësor një përplasje mes familjes Hoxha dhe dy aksionerëve të tjerë.

Të dyja palët pretendonin pronësinë, por Gjykata e Larta mori vendimin në janar duke e lënë Topin në duart e Vjollca Hoxhës dhe trashëgimtarëve të themeluesit të Top Media, të ndjerit Dritan Hoxha: Lorela, Sara, Redia dhe Itan Hoxha.

Përplasja mes tyre ka qenë ligjore dhe nuk ka pasur më parë ndonjë rast që tregon për nisjen e mundshme të një konflikti të tillë.

Po ashtu, në Top Channel realizohen emisione të shumta investigative, dhe vetë grupi mediatik e cilësoi sulmin si një “akt terrorist që cenon fjalën e lirë”.

Pra me fjalë të thjeshta kanë hedhur dyshime se sulmi vjen nga persona që mund të jenë prekur nga publikimet e televizionit.

Por pse tani, duke qenë se Topi ka vite në tregun shqiptar dhe investigimet janë realizuar gjithmonë?

Teza tjetër që ka gjetur përhapje është ajo e Big Brother, duke pasur në vëmendje se sa ndikim dhe “pushtet” ka pasur formati që në nisje.

Jo vetëm kaq, gazetarë e analistë të ndryshëm në media kanë bërë deklarata ku thonë se “përplasjet” mes ndjekësve të Big-ut mund të kenë “realizuar” këtë sulm kaq të “mirëmenduar”.

Të ketë qenë “mllefi” për këtë të fundit kaq i madh sa në vendin e ngjarjes të gjenden 25 gëzhoja model 56, pesë predha dhe nëntë copëza predhash municioni luftarak?!

Teza e fundit që ra sapo doli ishte lidhja e sulmit me ish-dhëndrin e Pal Kolës, 61-vjeçarit që fatkeqësisht humbi jetën pas sulmit.

Dyshimet e para u hodhën te ish-dhëndri i tij dhe shoku që ai kishte, por pas marrjes në pyetje ata u lanë të lirë.

Kësaj i shtohet edhe fakti se nga ndërtimi i ngjarjes u kuptua se plumbi që preku Pal Kolën ishte rikoshet, pra ai nuk kishte qenë objektiv.

Si në çdo ngjarje tjetër nuk duhen përjashtuar edhe çështjet e jashtme.

Konkretisht problemet që ndonjë anëtar i stafit drejtues mund të ketë pasur jashtë jetës së Topit dhe që mund te kenë çuar drejt një konflikti të tillë.

Por në fund të ditës këto janë vetëm teza, dhe nga Policia kemi marrë përgjigjen e pyetjes: Si?

Kush dhe pse mbeten ende mister.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore