Shqipëria

Miratohet statuti i ri i PD-së, hidhet në votim shkarkimi i Bashës si kryetar


“Me propozimin e një grupi anëtarësh dhe mbështetjen e të paktën 15% të delegatëve, Kuvendi vendosi miratimin në parim të statutit të ri të PD-së”.

Këtë e konfirmoi drejtuesi i komisionit të Kuvendit të Kombëtar të Partisë Demokratike – e thirrur nga lideri historik i saj Sali Berisha për të shkarkuar kreun aktual Lulzim Basha – Belind Këlliçi.

“Kuvendi vendosi ngritjen e Komisionit të rithemelimit të PD-së i përbërë nga Agron Shehaj, Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Bujar Nishani, Edith Harxhi, Edi Paloka, Edmond Spaho. Ervin Minarolli, Flamur Noka, Genc Memaj, Genc Pollo. Gent Strazimiri, Keltis Kruja, Ledina Mandija, Mimoza Hajadrmamataj, Oerd Bylykbashi dhe Sali Berisha”, vijoi Këlliçi në fjalën e tij.

Kryetari i këtij komisioni ravijëzoi se janë votuar nen për nen – 67 – ndryshimet statuore.

Gjithashtu Këlliçi shpalli votimin e fshehtë për shkarkimin e Bashës, për thyerje të rënda statutore.

Ndërsa, Këlliçi bëri me dije se kjo do të hidhet në referendum më 18 dhjetor në çdo degë të PD-së dhe më pas do të ratifikohet.

“Fleta e votimit në referendum do të përmbajë pyetjen. A jeni dakord me vendimin e Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e Lulzim Basha? Ky vendim miratohet me votim të hapur dhe hyn në fuqi menjëherë”, tha Këlliçi.

Nga ana tjetër Kuvendi anuloi Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Basha më 18 dhjetor.

Gjithashtu delegatët vendosën shkarkimin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve, Grida Duma, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.

Ndryshimet statuore

Pika më kryesore e këtij statuti është ajo e krijimit të një Komisioni Tranzitor rithemelimi me 15 anëtarë. Kjo do të ushtrojë të gjithë kompetencat që i takojnë organeve qëndrore të PD-së, me përjashtim të atyre që i takojnë Kuvendit Kombëtar.

Ky komision, përshkruhet gjithashtu si përgjegjës për organizimin dhe mbajtjen e proceseve zgjedhore brenda PD-së.

Krijimi i organeve të reja brenda të djathtëve, sipas nenit 65 të tij, fillon menjëherë dhe përfundon jo më vonë se tre muaj pas hyrjes në fuqi.

Brenda marsit, demokratët mund të kenë një lidership të ri drejtues. Kryetari do të zgjidhet sipas parimit “një anëtar një votë”.

Çdo akt i organeve të partisë i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të statutit.

“Përçarja” e demokratëve filloi pas vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Ky vendim i kryedemokratit erdhi pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Berishën dhe familjen e tij si persona non-grata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore