Kosova

Miratohet ndarja e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët


Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën është miratuar ndarja e shtesave për 100 euro për fëmijët dhe pensionistët.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka sqaruar se ky vendim vlen për të gjithë fëmijët.

“Ky vendim vlen për të gjithë fëmijët që e marrin shtesat e fëmijëve në kuadër të skenës ekzistuese, sipas muajit dhjetor të këtij viti”.

“Ky është vendimi i cili miraton shtesën, sa i përket ekzekutimit pas përgatitjeve teknike do të bëhet shpërndarja e mjeteve. Mjetet do të kalojnë në llogarinë e prindërve dhe s’do të ketë nevojë për aplikim”, ka thënë Murati.

Një vendim i ngjashëm është miratuar edhe për pensionistët.

“Për të gjithë përfituesit e skemës pensionale do të kenë mbështetje nga 100 euro. Marrë parasysh që pensionet ekzekutohen këtë të premte s’do të kemi mundësi ta ekzekutojmë edhe këtë shumë, por gjatë ditëve në vijim do të bëhet ekzekutimi i tyre”.

Po ashtu, para ministrave, Kurti ka paraqitur për shqyrtim edhe themelimin e mekanizimit të paralajmërimit të hershëm për monitorimin e trendit të migrimit.

“Ky mekanizëm ndërinstitucional ka për qëllim të monitoroj trendët e lëvizjes së migrimit pas liberalizimit të vizave të Bashkimit Evropian. Të mbledh, të analizoj të dhëna lidhur me lëvizjen e shtetasve të Republikës së Kosovës, në zonën Schengen”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Zëvendësministrin e Punëve të Brendshëm, Bardhyl Dobra, ka sqaruar themelimin e këtij mekanizmi.

“Finalizimi i procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën ka nënkuptuar gjithashtu një angazhim dinamik në mënyrë që të menaxhohet suksesshëm. Ky mekanizëm themelohet me një përbërje ndërinstitucionale”.

Ndërsa, është miratuar edhe projektrregullorja për detyrat dhe përgjegjësit e organizimit të sekretarisë ekzekutive të Agjencisë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës.

Kurti, para kabinetit qeveritar ka thënë se projektrregullorja përfshinë edhe pranimin dhe regjistrimin e dokumenteve që ishin marrë nga Kosova nga autoritetet okupatore serbe.

“Kjo projektrregullore përcakton detyrat dhe përgjegjësitë dhe organizimin e sekretarisë ekzekutive të agjencisë kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës, si dhe përcakton kriteret për zgjedhjen e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të agjencisë”.

“Kjo projektrregullore përfshin edhe pranimin, regjistrimin dhe krahasimin e dokumenteve kadastrale origjinale të skanuara para qershorit të vitit 1999, pra dokumentet që janë marrë nga Kosova nga autoritetet okupatore serbe në atë kohë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa për rezultatet e testit PISA, kreu i ekzekutivit është shprehur se defektet strukturore në sistemin arsimor nuk mund të rregullohen përnjëherë e shpejt, defekte të cilat sipas kryeministrit, shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore