Lajme

Miratohet Koncept Dokumenti për Themelimin e Fondit Sovran


Mbledhja e komisionit ekzekutiv për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës.

Është miratuar në parim Koncept Dokumenti për themelimin e Fondit Sovran, të shtunën e 26 shkurtit në mbledhjen e komisionit ekzekutiv për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës.

Ky koncept dokument parasheh hapat që duhet të ndjekë Qeveria e Kosovës deri në themelimin e Fondit.

“Aty përcaktohen qartë qëllimet, funksioni dhe mandati i Fondit Sovran, si dhe strategjia për bartjen e aseteve zhvillimore dhe strategjike nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në Fond”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

“Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hapje të takimit të Komisionit Ekzekutiv për Fondin Sovran, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti ka thënë se Fondi Sovran do t’i japë një shtytje dhe orientim të ri ekonomisë së Kosovës, duke krijuar kanale të reja për investime të jashtme, përfshirë qasjen në tregjet globale financiare.

“Koncept Dokumenti ravijëzon qëllimet, funksionin dhe mandatet e Fondit Sovran. Dokumenti gjithashtu parasheh një strategji që ky Komision dhe Qeveria duhet ndjekur në hapat e ardhshëm që do të përfundojnë me themelimin e vetë Fondit, nisjen e transferit të aseteve strategjike në Fond, si dhe në përmbylljen e mandatit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, ka deklaruar Kurti.

Fondi Sovran sipas kryeministrit, do t’i japë një shtytje dhe orientim të ri ekonomisë së vendit, duke krijuar kanale të reja për investime të jashtme, përfshirë qasjen në tregjet globale financiare.

“Do të krijohen mundësi për sjelljen e kapitalit të freskët në sektorin privat përmes partneriteteve të reja që do të formohen midis Fondit, investitorëve të jashtëm dhe korporatave prodhuese dhe shërbyese në Kosovë”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore