Kosova

Miratimi i mocionit të Thaçit\Flasin avokatët: Ky është sukses i mbrojtjes, pozita e Thaçit dhe të tjerëve është përmirësuar


Nicolas Guillou dhe Hashim Thaçi

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të martën, kanë njoftuar se Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka aprovuar pjesërisht mocionin e avokatëve të ish-presidentit, Hashim Thaçi, ndaj aktakuzës së re apo siç po quhet ndryshe aktakuzës së ndryshuar të prezantuar së fundmi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin po akuzohen për krime lufte.

Këtë aprovim të pjesshëm të kundërshtimeve të mbrojtjes nga Gjykata Speciale, Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini, thotë se duhet lexuar si një përmirësim të pozitës procedurale të Thaçit dhe të tjerëve.

“Natyrisht se çdo rishikim i kujdesshëm i pikave të aktakuzës nga ana e gjykatës është i dobishëm për mbrojtjen sepse tregon se argumentet e saja janë dëgjuar. Këtë pa dyshim se e shoh si një sukses të mbrojtjes”, ka thënë Qerkini.

Artan Qerkini

Se aprovimi i pjesshëm i mocionit të avokatëve të Hashim Thaçit është një tregues pozitivë e thotë edhe Avokati tjetër i akredituar nga Gjykata Speciale, Skender Musa. Megjithatë sipas tij mbrojtja në rastin e Thaçit dhe të tjerëve ka shumë punë për të bërë kjo pasi që veprat për të cilat akuzohen këta të fundit janë të rënda.

“Megjithatë, siç po duket gjykata ka filluar t’i analizojë me të drejt provat materiale të çështjes dhe kjo është mirë sepse kur dikush akuzohet për diçka, prokurori duhet të individualizoi veprimin konkret për secilin të akuzuar, pasojën e shkaktuar nga veprimi në rastin konkret për secilin të akuzuar”, ka thënë Musa për Albanian Post.

Skender Musa

Gjyqtari francez gjithashtu ka kërkuar nga Prokuroria e Specializuar që në disa raste t’i shtojë emrat e autorëve të krimeve të pretenduara, lokacioneve ku janë kryer krimet dhe viktimat. E këtë kërkesë të Guillou, Qerkini e interpreton si një detyrim që Gjykata ka në raport me të akuzuarit, kjo pasi që sipas tij shqyrtimi gjyqësore duhet t’i eleminojë të gjitha paqartësitë në lidhje me akuzat.

“Pa sqarime të kësaj natyre aktakuza konsiderohet e paqartë dhe për pasojë i pamundëson mbrojtjes të përgatitet për gjykim”, ka shpjeguar ai.

Ndërsa sipas Musës kërkesa për të shtuar autorët e krimeve të supozuar është obligim ligjor dhe gjyqtari vetëm ka zbatuar ligjin, pasi deri më tani ai ka vepruar në mënyrë të përgjithësuar duke mos kërkuar nga Prokuroria pasojën e shkaktuar nga veprimi, palën e dëmtuar, kohën e marrjes së vendimit, vendin e shkaktimit të pasojës dhe elementin subjektiv të veprës penale për secilin të akuzuar.

“Por, në anën tjetër kjo është e drejtë që deri tash është mohuar në këtë gjykatë. Në momentin që zbulohen emrat e autorëve të krimeve të supozuara mendoj se të akuzuarit aktual duhet lirohen sepse nuk besojë që prokuroria të ketë prova kundër tyre”, ka shtuar Musa.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale

Më 29 prill të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria me këtë aktakuzë të re kishte pretenduar se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, por pa dhënë shumë detaje.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria kishte listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i kishte listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

E me të pranuar këtë aktakuzë të ndryshuar Avokatët e Thaçit ishin ankuar për të meta në aktakuzën e reformuar. Konkretisht, argumentet e mbrojtjes së Thaçit ishin se aktakuza e re nuk ka bazë ligjore dhe se ajo duhet të rrëzohet, pasi pretendimet bien jashtë fushëveprimit të afatit kohor mbi të cilin gjykata ka juridiksion për të gjykuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore