Kosova

“Ministrisë së Bujqësisë do t’i kthehet reputacioni”


Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillit Rural në Kosovë, Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillit Rural në Kosovë, Faton Peci, ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës, me arrestimin e disa zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie nën dyshimin për mashtrim e ryshfet, është përpjekje për vendosje të ligjshmërisë.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka theksuar se ministrisë e cila është bërë e njohur për shkak të skemave kriminale, do t’i kthehet reputacioni.

“Kjo që ndodhi sot është përpjekje për vendosje të ligjshmërisë. Nuk do të ndalemi dhe nuk do të kursehemi që këtë ministri që është bërë e famshme shkaku i skemave kriminale t`ia rikthejmë reputacionin, besimin dhe imazhin që meriton, në mënyrë që ta vëjmë ekskluzivisht në dobi të bujqve e fermerëve”, ka shkruar Peci.

Në anën tjetër, ministri Peci ka inkurajuar të gjithë fermerët dhe bujqit që të bashkëpunojnë me organet e rendit për ta denoncuar çdo veprim që sipas tij, cenon dhe dëmton mundin e tyre.

“Subvencionet duhet të arrijnë te bujqit, por jo te keqpërdoruesit dhe mashtruesit. Duke ndarë subvencione për fermerë, pa ndërmjetësues e pa keqpërdorues do të mund ta sigurojmë një ambient dhe klimë të favorshme për këtë kategori jetike për shtetin”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës të mërkurën ka vazhduar aksionin e nisur muaj më parë të njohur si “Subvencioni 2021”, nën dyshime për keqpërdorime në subvencione në bujqësi dhe janë arrestuar shtatë persona.

Këtë e kanë konfirmuar për Albanian Post, zyra për media e Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës, me autorizim të organeve kompetente ka filluar një operacion të gjerë policorë, i cili është duke u realizuar në disa lokacione të komunave të ndryshme. Ky operacion policorë është vazhdimësi e operacionit të mëhershëm subvencionet. Pas përfundimit të operacionit policorë do të bëhen të ditura detaje shtesë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë njoftuar se aksioni është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 24 shkurt 2021.

“Lidhur me zhvillimet e këtij aksioni do të njoftoheni me kohë”, bën të ditur prokuroria.

Ndërkaq në muajin shkurt të këtij viti, ishin arrestuar 12 persona, nga të cilët 10 janë zyrtarë të shtetit dhe janë konfiskuar 400 mijë euro, në një aksion të madh të policisë në Kosovë.

“Përgëzoj institucionet për punën lidhur me rastin e keqpërdorimeve me subvencione. Abuzuesit herët apo vonë do të dalin para drejtësisë! Shteti i së drejtës nuk ka alternativë”, ka shkruar ajo në Facebook. Aksioni ishte zhvilluar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në Ministrinë e Bujqësisë dhe në zyrat e kësaj ministrie në Prishtinë, Lipjan, Istog dhe Gjilan.

“Në bazë të provave janë bërë bastisje në disa zyre dhe vendbanime të personave ku janë konfiskuar: 433,160.00 euro, 600 dollar, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8  vetura, 1 kompjuter, 5 armë, 1  USB dhe 1 vulë”, kishte njoftuar policia, pas aksionit të zhvilluar në disa qytete të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore