Lajme

Kosovë: Aksioni “Subvencioni 2021” – arrestohen shtatë persona


Policia e Kosovës të mërkurën ka vazhduar aksionin e nisur muaj më parë të njohur si “Subvencioni 2021”, nën dyshime për keqpërdorime në subvencione në bujqësi dhe janë arrestuar shtatë persona.

Këtë e kanë konfirmuar për Albanian Post, zyra për media e Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës, me autorizim të organeve kompetente ka filluar një operacion të gjerë policorë, i cili është duke u realizuar në disa lokacione të komunave të ndryshme. Ky operacion policorë është vazhdimësi e operacionit të mëhershëm subvencionet. Pas përfundimit të operacionit policorë do të bëhen të ditura detaje shtesë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë njoftuar se aksioni është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 24 shkurt 2021.

“Lidhur me zhvillimet e këtij aksioni do të njoftoheni me kohë”, bën të ditur prokuroria.

Ky aksion po zhvillohet në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, por pritet të zhvillohet edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se luftimi i krimit dhe korrupsionit mbetet “Top” Prioritet i ministrisë që ai udhëheqë.

“Për gati 100 ditë, dinamika jonë e angazhimit e lartë, si në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Ky angazhim, do të vazhdojë të rritet tutje, duke prodhuar rezultate konkrete çdo ditë për qytetarët tanë”, ka thënë ai.

Ndërkohë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, potencuar se zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën e tyre zyrtare dhe janë pasuruar kundërligjshëm do të japin përgjegjësi. Deklarimi i saj ka ardhur pak minuta pasi Policia e Kosovës arrestoi disa zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, nën dyshimin për keqpërdorime me subvencione.

Në muajin shkurt të këtij viti, ishin arrestuar 12 persona, nga të cilët 10 janë zyrtarë të shtetit dhe janë konfiskuar 400 mijë euro, në një aksion të madh të policisë në Kosovë.

“Përgëzoj institucionet për punën lidhur me rastin e keqpërdorimeve me subvencione. Abuzuesit herët apo vonë do të dalin para drejtësisë! Shteti i së drejtës nuk ka alternativë”, ka shkruar ajo në Facebook.Aksioni është zhvilluar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në Ministrinë e Bujqësisë dhe në zyrat e kësaj ministrie në Prishtinë, Lipjan, Istog dhe Gjilan.

“Në bazë të provave janë bërë bastisje në disa zyre dhe vendbanime të personave ku janë konfiskuar: 433,160.00 euro, 600 dollar, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8  vetura, 1 kompjuter, 5 armë, 1  USB dhe 1 vulë”, kishte njoftuar policia, pas aksionit të zhvilluar në disa qytete të Kosovës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore