Lajme

Ministria e Financave më e dobëta për sa i përket investimeve kapitale, më e forta ajo e komuniteteve


Hekuran Murati

Instituti GAP, i cili avokon për një qeverisje më të mirë në Kosovë, duke monitoruar punën e institucioneve publike dhe duke rekomanduar zgjedhje konkrete mbi politikat publike, përmes një grafikoni të publikuar në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social Facebook, ka paraqitur realizimin e investimeve kapitale nga ministritë në vitin 2022.

Hulumtimi i Institutit GAP ka konstatuar se Ministria e Financave, i cili drejtohet nga ministri Hekuran Murati, gjatë vitit 2022 ka realizuar vetëm 2 për qind të investimeve kapitale.

Përqindje teje të ulët të investimeve kapitale kanë realizuar edhe Ministria e Industrisë dhe ajo e Ekonomisë.

Ministria e Industrisë ka realizuar vetëm 16 për qind të investimeve kapitale ndërsa ajo e Ekonomisë 38 për qind.

Ministria më e suksesshme, sipas hulumtimit të këtij instituti, del të jetë ajo për Komunitete dhe Kthim, e cila deri në nëntor të vitit të kaluar drejtohej nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç.

Pas dorëheqjes kolektive të serbëve si nga institucionet qendrore ashtu edhe ato komunale, në krye të kësaj ministrie u emërua, Nenad Rashiç.

Ky ministri ka realizuar 98 për qind të investimeve kapitale gjatë vitit 2022.

Hulumtimi i Institutit të GAP e rëndit, si të suksesshme për sa i përket investimeve kapitale, edhe Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Drejtësisë, Zhvillimit Rajonal, dhe atë të Bujqësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore