Lajme

Ministria e Ekonomisë zgjat afatin e aplikimit për subvencionim të energjisë


Ilustrim.

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se ka vendosur të zgjasë afatin për aplikim për Fazën 2 të subvencionimit të efiçencës së energjisë, deri më 7 nëntor.

Këtë, Ministria e ka bërë të ditur përmes një komunikate për media.

“Zgjatja e afatit bëhet duke u bazuar në kërkesat e aplikantëve, të cilët kanë aplikuar në Fazën 1 dhe të cilët në mungesë të kapaciteteve të kompanive për liferim/montim të pajisjeve, e kanë të pamundur që të kryejnë procedurat e parapara brenda afatit të paraparë për aplikim në Fazën 2”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, Ministria ka ftuar të gjithë qytetarët që janë parakualifikuar në fazën e parë, që sa më parë të kryejnë këtë proces në mënyrë që të jenë përfitues të subvencionit.

Ndryshe, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar më 6 tetor masat për subvencionim të pajisjeve efiçente të energjisë për qytetarët, prej të cilave pretendohet se do t’ia kursejnë shtetit mbi 12 milionë euro për dimrin që po vjen.

Artane Rizvanolli.

Sipas saj, vlera e subvencionit do ta kapë shumën prej 6 milionë eurosh.

Njëri nga zotimet e Qeverisë së Kosovës kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike ishte se do të ofrojë 100 milionë euro për të subvencionuar mbulimin e një pjese të kostos për të gjithë konsumatorët.

47 milionë euro ishin ndarë për periudhën shkurt-gusht 2022.

Ndërsa për ta kuptuar më mirë diferencën në shumën e subvenciunuar nga Qeveria, KESCO, ka zhvilluar një kalkulator përmes së cilit qytetarët e Kosovës përveç shumës totale të faturës, do të shohin edhe vlerën e këtij subvencioni, e cila zbritet automatikisht nga faturimi i konsumatorëve.

Në faqen e krijuar nga KESCO, ky subvencionim llogaritet automatikisht, thjesht duke shënuar shifrën e konsumatorit që gjendet në pjesën e sipërme të faturës.

Kalkulimi mund të bëhet duke klikuar në linkun këtu, http://subsidy.kesco-energy.com.

KESCO.

Me 8 shkurt, me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, kishte marr vendim për shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj.

Ky propozim ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave si dhe është miratuar në mënyrë unanime.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë eficence me 5,9 cent kWh”.

Tutje, ZRRE ka sqaruar edhe tarifat për shpenzimin e energjisë elektrike mbi 800 kWh.

“Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.

Ndërsa, kanë bërë të ditur se rreth 20 për qind e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore