Lajme

Ministri i jashtëm austriak Schalenberg, viziton Kosovën


Alexander Schallenberg, Ministri i Jashtëm i Austrisë

Ministri i jashtëm austriak, Aleksandër Schalenberg këtë të martë do të vi për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Ai do të pritet në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ora 9:00 nga homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla.

Në ora 10:00 ai do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

E më pas edhe me kryeministrin, Albin Kurti.

Vizitën e tij në Kosovë për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Gabriele Juen.

Mes takimeve tjera që do të zhvillojë Aleksandër Schallenberg, do të jetë edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Kryediplomati austriak më pas do të takohet edhe me kontingjentit austriak të KFOR-it.

Çështjet kyçe të vizitës së top-diplomatit austriak, siç tregoi Juen për AP, do të jenë “procesi i zgjerimit i Bashkimit Evropian, lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe implikimet e saj për rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Një ditë më parë Schallenberg ishte në vizitë në Serbi.

Në takim me kryediplomatin serb, Nikola Selakoviç, ai i ka shprehur këtij të fundit nevojën për progres në dialogun Kosovë-Serbi si gjë të rëndësishme për stabilitetin rajonal.

Schalenberg iu referua kërkesës së kancelarit federal gjerman, Olaf Scholz, i cili të premten në Prishtinë dhe Beograd kërkoi rigjallërimin e Procesit të Berlinit, të cilin e quajti “inkubator nga i cili kanë lindur të gjitha idetë për bashkëpunim rajonal”.

“Nëse flasim për siguri, normalizimi gradual i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është tejet i rëndësishëm. Jam i kënaqur që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të premten se do të provonte të bënte progres [në dialog]”, tha Schalenberg.

Schallenberg në nëntor të vitit të kaluar ishte takuar me kryeministrin Kurti, me të cilin kishin biseduar mes tjerash edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Takim i mirë me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Diskutuam fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve tona bilaterale si dhe dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. I ritheksova mbështetjen tonë të plotë për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, kishte shkruar Schallengberg në Twitter.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore