Lajme

Schalenberg në Beograd: “Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tejet i rëndësishëm”


Ministri i Jashtëm i Austrisë, Aleksandër Schalenberg dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviç

Ministri i jashtëm austriak, Aleksandër Schalenberg në takim me kryediplomatin serb, Nikola Selakoviç, i ka shprehur këtij të fundit nevojën për progres në dialogun Kosovë-Serbi si gjë të rëndësishme për stabilitetin rajonal.

Schalenberg iu referua kërkesës së kancelarit federal gjerman, Olaf Scholz, i cili të premten në Prishinë dhe Beograd kërkoi rigjallërimin e Procesit të Berlinit, të cilin e quajti “inkubator nga i cili kanë lindur të gjitha idetë për bashkëpunim rajonal”.

“Nëse flasim për siguri, normalizimi gradual i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është tejet i rëndësishëm. Jam i kënaqur që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të premten se do të provonte të bënte progres [në dialog]”, tha Schalenberg.

Mes tjerash, Schalenberg njoftoi se me krerët shtetëror serbë ka biseduar për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian si dhe situatën e sigurisë në rajon, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.

Ndërkaq ministri i jashtëm serb tha se “Ballkani i Hapur është i rëndësishëm për Serbinë”, dhe se sipas tij iniciativa në fjalë “nuk i bënë konkurrencë proceseve integruese evropiane”.

“[Ballkani i Hapur] synon të përmirësojë standardet e jetesës për qytetarët duke promovuar katër liritë: lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit – si dhe përfaqëson përgatitje më të mirë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, raportuan mediat serbe.

Zëdhënësja në Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Gabriele Juen, në një përgjigje për Albanian Post ka konfirmuar se të martën e 14 qershorit kryediplomati austriak, Aleksandër Schallenberg, do të vizitojë Kosovën ku do të takohet me krerët e shtetit.

Çështjet kyçe të vizitës së top-diplomatit austriak, siç tregoi Juen për AP, do të jenë “procesi i zgjerimit i Bashkimit Evropian, lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe implikimet e saj për rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Schallenberg do të takohet fillimisht me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe ministren e jashtme, Donika Gërvallën, njoftoi zëdhënësja.

Mes takimeve tjera që do të zhvillojë Aleksandër Schallenberg, do të jetë edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Kryediplomati austriak më pas do të takohet edhe me kontingjentit austriak të KFOR-it.

Schallenberg në nëntor të vitit të kaluar ishte takuar me kryeministrin Kurti, me të cilin kishin biseduar mes tjerash edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Takim i mirë me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Diskutuam fuqizimin e mëtejm të marrëdhënieve tona bilaterale si dhe dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. I rikthesova mbështetjen tonë të plotë për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, kishte shkruar Schallengberg në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore