Lajme

Minatorët s’e kanë ndërprerë grevën, si provoi të mashtrojë publikun bordi i ndërmarrjes


Foto nga Albanian Post.

Në faqen e tyre në rrjetin social ‘Facebook’, Ndërmarrja “Trepça” doli me një komunikatë se minatorët kanë ndërprerë grevën, por Ibrahim Januzi, kryetar i Sindikatës së “Trepçës”, në një deklaratë për Albanian Post ka përgënjeshtruar këtë njoftim, duke e quajtur krejtësisht të pavërtetë.

“Grevën nuk e kemi ndërprerë vazhdojmë me kërkesat e ngjashme, pavarësisht që gjendja shëndetësore e minatorëve është jashtëzakonisht e vështirësuar, jemi të palëkundur kërkesat tona”, ka deklaruar për Albanian Post Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Ibrahim Januzi.

Në fakt “Trepça sh.a”, provoi të mjegulloi opinionin publik duke shkruar se grevën e kanë ndërprerë “minatorët e Artanës dhe punëtorët e flotacionit në Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”, por grevistët që po kërkojnë shkarkimin e kryeshefit të bordit, Enis Abdurrahmani, përmirësimin e kushteve të punës dhe paga me rregullë, nuk janë as ata të Kishnicës e as ata të Artanës.

“Ne jemi minatorët e Trepçës apo minatorët e Stantërgut që po qëndrojmë në grevë tash e nëntë ditë”, sqaroi Januzi.

Ai ishte udhëheqës i delegacionit të minatorëve që u takuan të martën me deputetët e Kuvendit të Kosovës, por që mbledhja e komisionit përfundoi pa një rezultat, meqë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje refuzonin të merrnin vendim për përkrahjen e kërkesave të tyre pa një opinion nga Qeveria e Kosovës fillimisht.

Takimi mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe Sindikatës së Trepçës.

“Akoma s’kemi marrë asgjë konkrete nga institucionet për realizimin e kërkesave tona”, tregoi Januzi.

Greva, e përbërë prej 300 minatorëve dhe punëtorëve të “Trepçës” po vazhdon dhe është futur në ditën e nëntë.

Greva e minatorëve

Afër 300 persona që nga 24 tetori në kombinatin metalurgjik Trepça – i cili gjendet në jug dhe në Veri të Mitrovicës, po qëndrojnë në thellësi të kësaj miniere duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave, përmirësimin e kushteve, t’u dalin pagat me kohë si dhe të shkarkohet menaxhmenti.

Me uniformë të vjetruar, çizme të baltosura e helmetë të zymtuar minatorët punojnë tash e sa vjet në këtë minierë.

Kërkesë e tyre ka qenë vazhdimisht përmirësimi i kushteve, por që asnjëherë s’u dëgjuan nga pushteti.

Kjo ka dërguar në greva të njëpasnjëshme, por kjo e fundit rezultoi edhe me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të rreth 250 punëtorëve.

Një takim i mbajtur mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pozitë e opozitë, të martën, me sindikatën e Trepçës nuk çoi në ndonjë rezultat që kjo grevë të ndalohet.

Nga opozita në një bisedë për Albanian Post u tha se pushteti refuzoi që kërkesat për minatorët të plotësohen.

Ky takim u përcjell edhe me rrëfim të përlotur të njërit prej minatorëve, duke kërkuar që të lihet politika anash dhe të bashkohen për Trepçën.

“Ju kisha lutur, jam shumë i emocionuar, shpëtojani jetën minatorëve. Bëhuni një grup krejt partitë, leni inatet mes vete, ejani sa më shpejt se minutat janë në pyetje”, tha minatori Sami Peci.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

250 punëtorë kërkuan tretman mjekësor në grevë, “pushteti kundërshtoi plotësimin e kërkesave për minatorët”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore