Lajme

Millan Jovanoviç: Nuk e di kush më plagosi


Millan Jovanoviç, i cili u plagos një natë më parë me armë zjarri në afërsi të urës së Bistricës afër Zveçanit, ka thënë se nuk e di se kush e qëlloi.

“Mbrëmë, pasi u ktheva nga Leposaviqi poshtë në Bistricë, pasi kalova nëpër postbllok, dëgjova një të shtënë dhe një dhimbje në shpatull. Nuk mund të jem 100% i sigurt se kush qëlloi, por “nuk besoj se ka pasur njeri tjetër atje përveç ushtrisë dhe policisë së tyre”, ka thënë Jovanoviç për Kosovo Online.

“Dëgjova plasaritjen e xhamit prapa dhe përpara dhe sinqerisht u tremba, vazhdova, u nisa për në shtëpi. Arrita në deri në vendin e quajtur “Guri i larmë” dhe çfarë ndodhi më pas, ku është vetura, kush më solli, nuk e di”, ka thënë Jovanoviç.

Pas pranimit në Qendra Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, Jovanoviç është operuar në repartin e kirurgjisë dhe sipas kirurgut kujdestar, ai është jashtë rrezikut për jetën, por gjendja e tij ende po monitorohet.

Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke i hetuar rrethanat e plagosjes, derisa tha se i plagosuri aktualisht ndodhet në Spitalin e Mitrovicës së Veriut duke marrë trajtim mjekësor.

“Nga aty kanë pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në krahror nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij. Policia e Kosovës, është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti”, ka njoftuar policia.

Gjithashtu Policia ka sqaruar edhe raportimet e mediave serbe se ky institucion është përfshirë në gjuajtje me armë zjarri.

“Andaj, bazuar në informacionet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri, dhe mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të rastit të personit të plagosur i cili gjendet duke u trajtuar në qendrën spitalore në Mitrovicë Veriore, ku sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë.”, njofton tutje PK-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore