Lajme

Plagoset një person me armë zjarri në veri të Kosovës


Një person është plagosur me armë zjarri në veri të Kosovës.

Policia nuk ka dhënë informacion se kush është i plagosuri por bën me dije se ai është plagosur në krahëror dhe po trajtohet në spitalin e Mitrovicës Veriore.

“Nga aty kanë pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në krahror nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij”.

Sipas mjekëve në Spitalin e Mitrovicës së Veriut, i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.

“Policia e Kosovës, është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e organeve të rendit.

Policia ka njoftuar se këtë informatë e ka pranuar rreth orës 23:48 minuta të hënën dhe njesitë relevante kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme policore “lidhur me hetimin dhe verifikimin e informacionit të pranuar, duke përfshirë edhe dërgimin e një njësie policore në spitalin e Mitrovicës Veriore”.

Uniforma blu bën me dije se të gjitha lajmet e publikuara nga mediet serbe se ata janë të përfshirë në shkëmbime me armë apo gjuajtje me armë zjarri me persona ose grupe të caktuara, janë të pa vërteta.

“Andaj edhe shkrimet, apo pyetjet e adresuara Policisë së Kosovës nga disa mediume serbe, se kinse Policia e Kosovës është përfshirë, apo në formën e pyetjes se a është përfshirë në gjuajtje me armë dhe plagosje të një personi te ura e Bistricë në komunë të Leposaviqit, ju informojmë dhe njëherit ritheksojmë se Policia e Kosovës, nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar’, njofton policia.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore