Sport

Milan transferon futbollistin brazilian


Në orët e fundit të afatit kalimtar veror, skuadra e Milan-it transferoi futbollistin brazilian, Junior Messias, i cili për shumëkënd është një futbollist i panjohur në arenën ndërkombëtare.

Ai u transferua nga skuadra italiane e Crotone-s, në formën e huazimit për 2.6 milionë euro, me të drejtë blerje edhe për pesë milionë të tjera.

Messias erdhi nga Brazili në Itali, në vitin 2011, ku fillimisht luajti për skuadrat Casale e Chieri, para se të bënte debutimin e tij në futbollin profesionist me skuadrën italiane Gozzano.

Pastaj në janar të vitit 2019, bëri debutimin në Serie A, ku skuadra e Crotone-s e transferoi atë për një shumë prej rreth 400 mijë eurove.

Menjëherë pas transferimit në Crotone, ai e ndihmoi skuadrën për tu ngjitur në elitën e futbollit italian, duke kontribuar me gjashtë gola dhe shtatë asistime në 36 ndeshje.

Pastaj edhe në Serie A, mesfushori brazilian pati paraqitje shumë të mira duke realizuar nëntë gola dhe pesë asistime në 35 ndeshje zyrtare.

Me pak fjalë, ëndërra e tij u bë realitet, sepse po t’i thoshte dikush se një dit do të veshë fanellën e Milan-it dhe të luajë në Ligën e Kampionëve, as vet Messias ndoshta nuk do ta besonte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore