Sport

Milan-i është afër marrëveshjes për rinovimin e kontratës me Bennacer


Drejtuesit e klubit të Milan-it janë duke punuar vazhdimisht për vazhdimin e kontratës së mesfushorit të tyre, Ismael Bennacer.

Ishte raportuar që algjeriani nuk do ta vazhdojë kontratën me kuqezinjtë, ku për të kishin shfaqur interesim disa klube angleze në krye me Arsenal-in.

Bennacer ka ndryshuar së fundmi agjentin e tij, duke zgjedhur kushëririn e Mino Raiola-s, Enzo-n, dhe tani është afër marrëveshjes për një kontratë të re me kampionët në mbrojtje të Serie A.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, algjeriani është në prag të nënshkrimit të një vazhdimi të kontratës që do ta shihte atë të trefishonte pagat e tij, duke arritur në 4 milionë euro në sezon.

Kontrata aktuale e Bennacer skadon vetëm në qershor 2024, por rinovimet janë bërë një çështje e ndjeshme në sezonet e fundit për kuqezinjtë, pasi humbën Donnarumma-n, Calhanoglu-n, Romagnoli-n dhe Kessie-n si transferime të lira.

Kjo është arsyeja pse drejtorët sportivë Paolo Maldini dhe Frederic Massara duan të planifikojnë përpara dhe të shtojnë emrin e Bennacer në një listë të marrëveshjeve të reja që tashmë përfshin Fikayo Tomori, Pierre Kalulu, Davide Calabria dhe Theo Hernandez të cilët të gjithë zgjodhën të rinovojnë kontratat e tyre në muajt e fundit.

Milani shpreson se Bennacer do të jetë vetëm lojtari i parë që do të nënshkruajë një marrëveshje të re në vitin 2023. Kuqezinjtë do të ofrojnë gjithashtu kontrata të reja për Olivier Giroud dhe Rafa Leao.

Sulmuesi francez i skadon kontrata në fund të sezonit, ndërsa ajo që konsiderohet kryesorja (kontrata e Leao-s) përfundon në verën e vitit 2024.

Milani është veçanërisht në një nxitim për të përcaktuar të ardhmen e portugezit duke qenë se për të kanë shfaqur interesim të madh klube si Chelsea, Manchester City e Paris Saint-Germain.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore