Sport

Milan dhe Barcelona janë në garë për transferimin e Jorginho-s


Jorginho do të mbetet lojtar i lirë në fund të sezonit, kur edhe i mbaron kontrata me klubin e tij, Chelsea-n.

Mesfushori braziliano-italian siç duket nuk dëshiron ta vazhdojë karrierën në Londër, andaj me shumë gjasë do të largohet nga futbolli anglez.

Këtë gjë kërkojnë ta shfrytëzojnë disa klube për ta ofruar Jorginho-n me parametra zero në ekip, por dy janë ekipet më të interesuara: Milan dhe Barcelona.

Reprezentuesi italian thuhet se refuzoi një ofertë për vazhdimin e kontratës me blutë e Londrës në muajin e kaluar dhe do të konsideronte një rikthim në Itali në sezonin 2023-24.

Sipas gazetës spanjolle “Sport”, Milan-i dhe Barcelona janë në kontakt me agjentin e Jorginho-s, Joao Santos.

Madje mediumi i lartcekur e bën më favorit ekipin italian për të nënshkruar, kjo për shkak se te Barcelona, Jorginho do të përballej me më shumë konkurrencë.

Kujtojmë që lojtari më i mirë i vitit 2021 nga UEFA, karrierën e tij e filloi në futbollin italian.

Ai është produkt i Hellas Verona-s, ku qëndroi për katër vite, e më pas në vitin 2014 u transferua në Napoli për 9.5 milionë euro.

Te Napoli, 30-vjeçari kaloi momentet më të mira në karrierën e tij, e më pas u transferua në Chelsea për 57 milionë euro.

Ndërkaq, me Chelsea-n, Jorginho ka luajtur në 204 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar 29 gola dhe ka dhuruar nëntë asistime.

Jorginho numëron 46 ndeshje zyrtare me kombëtaren e Italisë, ku ka shënuar edhe pesë gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore