Shqipëria

Mijëra tërmete në Shqipëri gjatë 2021-shit, vetëm dy të fortë


Tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit 2019, ka ende gjurmë të qarta në kujtesën e shqiptarëve me dëmet e pasojat që ka lënë, ku vetëm dy vjet më pas, disa prej të dëmtuarve po marrin strehat e tyre, pas dy vjetëve qëndrim në vendbanime provizore.

Por, pavarësisht faktit se efekte shkatërruese nga tërmetet nuk ka pasur gjatë vitit 2021, kjo nuk do të thotë se ato kanë munguar.

Madje, në të kundërt, kanë qenë mijëra prej tyre, të rënë në 365 ditë.

Sigurisht që shumica, ka të bëjë me një aktivitet normal sizmik të zinxhirit mesdhetar ku Shqipëria bën pjesë. Për këtë arsye, rreth 90% e këtyre tërmeteve, as nuk ndjehen nga njerëzit.

Më saktësisht, në Shqipëri ose afërsi të kufijve, kanë rënë 1 mijë e 86 tërmete, me magnitudë më poshtë se 2.0 të shkallës Rihter. Këto tërmete janë tërësisht të papërfillshme.

Në një magnitudë nga 2.0 në 3.0, janë regjistruar 1 mijë e 200 tërmete. Sërish, në këtë fuqi, ato kanë shumë pak – në mos aspak – efekt në lëkundjen e sipërfaqes së tokës.

Në rangun ku lëkundjet e tërmeteve fillojnë të ndihen, pra nga 3.0 në 4.0 Rihter, kanë rënë 175 të tillë. Ato gjithsesi mbeten në rangun e ndjesisë dhe nuk shkaktojnë dëme.

Një shkallë më sipër, pra nga 4.0 deri në 5.0, janë regjistruar 33 lëkundje. Këto janë më të forta dhe të ndjeshme për njerëzit. Po ashtu, në një infrastrukturë të keqe sipërfaqësore, ato mund të shkaktojnë dëme.

Teksa, ata më shkatërruesit, në magnitudë mbi 5 Rihter, kanë qenë vetëm dy. Ato nuk janë regjistruar në Shqipëri, por janë ndjerë në vendin tonë. Ndërsa, për tërmetet nga 4 deri në 5 Rihter, Shqipëria mban numrin më të lartë të lëkundjeve në rajon për vitin 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore