Kosova

Mijaçiç: “Asociacioni megjithatë do të formohet, Bislimi po flet për elektoratin e Vetëvendosjes”


Koordinatori i Grupit Punues për Kapitullin 35 i Konventës Kombëtare të Bashkimit Evropian, Dragisa Mijacic

“Deklarimi i Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, se ‘Asociacioni i komunave me shumicës serbe nuk do të formohet’, duhet të shihet brenda kontekstit të rezultatit të dobët zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosjte”.

Kështu konsideron Koordinatori i Grupit Punues për Kapitullin 35 i Konventës Kombëtare të Bashkimit Evropian, Dragisa Mijaçiç.

Për agjensinë e lajmeve serbe Beta.rs, ky koordinator thotë se “popullariteti i Lëvizjes Vetëvendosje është ngritur me protestat kundër kësaj Zajednice”.

“Kështu që, çfarëdo deklarate pohuese për formimin e Asociacionit, do t’ua gërryente kredibilitetin që ata gëzojnë tek elektorati i tyre”, thotë ai.

Bislimi, në një intervistë për Kohavizion deklaroi se “Nëse asociacioni është mënyrë e mirë, atëherë do të duhej të aplikohej për shqiptarët në Serbi gjithashtu”.

Mijaçiç konsideron se “kërkesa e Listës Serbe që të formohet Asociaconi deri në fund të vitit ka hedhur benzinë mbi pasionet e zjarrta të elektoratit dhe skenës politike në Kosovë”.

“Për këtë arsye Bislimi tha atë çfarë elektorati i tyre dëshirojnë të dëgjojnë”, vazhdoi ai.

“Kjo sigurisht nuk do të thotë se Asociacioni nuk do të formohet, sepse me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, qeveria e Kosovës e ka marrë atë detyrim, dhe ne gjithashtu shohim një rritje të presionit ndërkombëtar për të formuar përfundimisht Asociacionin”, tha koordinatori i Grupit Punues për Kapitullin 35.

I pyetur nga Beta.rs nëse marrëveshja e Brukselit tashmë ka dështuar, duke qenë se Kosova e refuzon atë, Mijaçiç tha se “zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit që në fillim është shoqëruar me sfida, jo vetëm ato që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit, por edhe shumë dispozita të tjera”.

“Më lejoni t’ua kujtoj se në vitin 2018, Frederica Mogherini i dha qeverisë së Ramush Haradinajt katër muaj për të hartuar Statutin e Asociacionit. Siç e dimë, askush nuk ka marrë përgjegjësi ose nuk ka mbartur pasojat për shkak të mospërmbushjes së atij afati, kështu që nuk është e çuditshme pse besueshmëria dhe rezultatet e procesit të negociatave janë të diskutueshme, “tha një anëtar tjetër i kësaj konvente për Danas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore