Shqipëria

Meta: Prokuroria të nisë hetimet ndaj Ramës


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në një konferencë për shtyp, të hënën e 19 prillit, foli në lidhje me çështjen e rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve të Tiranës.

Meta i kërkoi SPAK-ut, që të reagojë dhe të nisë hetimet në mënyrë “të menjëhershme”, mbi të dhënat personale të shqiptarëve.

“Prokuroria, të nisë hetimet ndaj Ramës. U drejtohem prokurorëve, të merrni në pyetje të gjithë patronazhistët tuaj që ju survejojnë”.

Këto veprime Meta i cilësoi si vjedhje e identitetit nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

“I ke hapur dyert krimit kibernetik dhe vjedhjes së identiteteve”.

Për më tepër, ai hamendësoi se më 25 prill “opozita e bashkuar shqiptare fiton 90 mandate”.

Meta i cilësoi sondazhet, që janë bërë deri tani, “të blera nga Edi Rama dhe nuk janë të sakta”.

Ai u kërkoi komisionerëve opozitarë që të mbrojnë votat e shqiptarëve me jetë.

“Vlora do t’ia bëjë fora. Unë do të jem atje në numërimin e votave. Dhe do të verifikoj të gjithë komisionerët , të opozitës të paktën, sepse kanë detyrë të japin jetën për të mbrojtur votën e vlonjatëve. Dhe në të gjithë Shqipërinë”.

Meta deklaroi se Shqipërisë si shtet i kanë mbetur vetëm dy institucione: ai i Presidentit të Republikës dhe populli i Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore