Shqipëria

Meta: Gjithë ky tension vjen nga ai që shkeli marrëveshjen e 5 qershorit


Presidenti Meta në Vlorë

Të mërkurën, presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte në Vlorë. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ai u pyet në lidhje me ngjarjen në Elbasan.

Presidenti u përgjigj se nuk mund të japë komente, por sipas tij “dihet se nga vjen gjithë ky tension”.

“Dihet se nga vjen gjithë ky tension. Vjen nga personi që shkeli marrëveshjen e 5 qershorit sepse ka tmerr nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kështu mendon se mund të bëjë edhe me zgjedhjet e 25 Prillit”.

Presidenti Meta në Fier

Më herët, kreu i shtetit ka ndaluar edhe në qytetin e Fierit ku foli për provokimin e Bashkisë Fier duke hequr banerat e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).

Meta e quajti këtë lëvizje si provokatore dhe tha që Partisë Socialiste (PS) dhe Bashkisë i intereson që të ketë konflike, pasi fajsojnë presidentin.

Për rastin e vrasjes në Elbasan, Meta deklaroi se Elbasani dhe Durrësi janë dy qarqet më problematike.

“Dihet që Elbasani ka qenë dhe mbetet së bashku me Durrësin dy nga qarqet më problematike”.

Meta gjithashtu akuzoi prokurorinë se është tërësisht e njëanshme në Elbasan dhe bëri thirrje që policia të shkëputet nga çdo preference partiake.

“Prokuroria është tërësisht e njëanshme dhe po kështu kam kërkuar nga kreu i SHISH vëmendje të veçantë. Dihet që policia në Elbasan bëhet palë midis grupimeve rivale, por gjithmonë të lidhura me Taulantin. Ftoj organet ligjzbatuese të shkëpusin çdo kontakt apo preferencë partiake. Do mbajnë përgjegjësi. Vendi mbi të gjitha nuk ka nevojë për asnjë lloj cenimi të standardeve zgjedhore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore