Shqipëria

Meta pranon se raporti politik me Kryemadhin është “thellësisht i tronditur”


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e ka pranuar publikisht se raporti i tij politik me bashkëshorten, Monika Kryemadhi, është “thellësisht i tronditur”.

Gjatë një interviste për emisionin “Opinion”, Meta tha se kjo ka ndodhur që prej ditës kur asokohe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila drejtohej nga Kryemadhi dhe Meta ishte President i Republikës, dogji mandatet parlamentare me gjithë opozitën.

Ky sipas Metës nuk ishte thjesht në gabim në politikë, i cili mund të korrigjohej, por një gabim fatal, pasi i la gjithë Parlamentin në dorë kryeministrit Edi Rama.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe faktin se ish-LSI-ja, PL-ja e sotme, kishte kryefjalë nepotizmin dhe kjo gjë duhet të ndryshojë.

Diçka të tillë ai e ka theksuar edhe më herët gjatë ditës, ku tha se do ta riformojë Partinë e Lirisë dhe për këtë do të kryejë shkarkime, premton zhdukjen e nepotizmit brenda forcës politike dhe drejtimin e saj jo më me “dy timonë”, por me një të vetëm…të tijin.

Meta drejt riformimit të PL-së, priten përjashtime dhe parti jo me “dy shoferë”

Meta përmendi një rast të posaçëm për këtë, kur në kohën e djegies së mandateve, 17 deputetët e tjerë të LSI-së nuk e konsideruan faktin që të konsultoheshin me të dhe i qëndronin besnikë vendimit të Kryemadhit.

Nga ana tjetër, ai shpërtheu edhe në një varg akuzash kundrejt Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Ai e ka akuzuar këtë të fundit se është në shërbim të kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Me tone deri në ofenduese, ku bën etiketime si “SPAK-u torollaku”, apo duke thënë se kërkon përballje me kryeprokurorin Altin Dumani, Meta tha se misioni i tij tashmë është të demaskojë gjithë padrejtësitë e bëra nga Prokuroria e Posaçme.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një interviste në emisionin “Opinion”.

Ilir Meta shpërthen me akuza ndaj SPAK-ut

Ai parashtroi se nuk i intereson se në çfarë hetimi është vetë nga SPAK-u, duke e quajtur veten si politikanin më të pastër në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, thotë se i vjen keq që institucioni ka mbrojtur emra si Erion Veliaj në çështjen e inceneratorëve.

Megjithatë, akuzën e vazhdoi duke e quajtur SPAK-un edhe organizatë politike dhe jo një institucion hetimor në vend.

Ai tha ndër të tjera edhe se mendon se Dumani, e ka personale me të gjithë çështjen dhe se dosja në SPAK ndaj tij është hapur pasi Dumani është takuar me Charles McGonigal, ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, tashmë të dënuar në SHBA për lidhje me Rusinë, fshehje pasurie dhe dokumentesh.

“SPAK është në shërbim kriminal të Edi Ramës. Torollaku se kujton se me këto presione do më ndalojë mua, e duke kapur ndonjë laraskë, do marrë peng Partinë e Lirisë”, shtoi më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore