Shqipëria

Meta drejt riformimit të PL-së, priten përjashtime dhe parti jo me “dy shoferë”


Ilir Meta do ta riformojë Partinë e Lirisë dhe për këtë do të kryejë shkarkime, premton zhdukjen e nepotizmit brenda forcës politike dhe drejtimin e saj jo më me “dy timonë”, por me një të vetëm…të tijin.

Kështu, gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së Partisë së Lirisë, Meta shpjegoi se kjo periudhë për PL-në, është e ngarkuar me përgatitje për Konventën Kombëtare.

E thirrur më 27 prill, Meta artikuloi se “një parti mbi baza të reja do të ndërtohet në këtë Konventë”, ku shtoi se do t’i jepet fund nepotizmit dhe në parti dhe të gjithë strukturat, si edhe do t’i jepet fund kakofonisë në drejtim.

“Meta ka propozuar që Sekretare për qarkun e Tiranës të zgjidhet Erisa Xhixho ndërsa sekretar për Korçën të jetë Tedi Blushi”.

“Do ju propozoj që në krye të grupit për rishikimin e programit dhe Statutit, i cili më 27 prill do ndërtojë partinë mbi baza të reja, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë nepotizmit në parti dhe të gjithë strukturave, dhënien fund mosmbajtjes së përgjegjësive dhe kakofonisë në drejtim. Zoti Haxhinasto bëhu gati edhe për 26 vite te tjera punë”, theksoi Meta gjatë fjalës së tij.

Ai po ashtu ftoi të gjithë ata, të cilët mendojnë se mund ta drejtojnë partinë më mirë se ai, që të kandidojë në Konventë përballë tij dhe të paraqesë platformën personale për partinë.

Lidhur me drejtimin e partisë, ai nuk iu referua me emër Monika Kryemadhit, bashkëshortes së tij dhe për një kohë të gjatë edhe bashkëdrejtueses së partisë.

Megjithatë, ishte i ashpër në retorikën e vendosur.

“Kjo nuk mund të jetë një forcë me dy shoferë. Dualizmi ishte shkatërrimtar për PD, pale kur futet ndonjë dorë e tretë. Duhet  shpejtësi dhe vendimmarrje tjetër, duhet fuqizim i organizimit dhe përqendrim i mesazhit politik. Vendimmarrje vertikale e menjëhershme e të gjitha vendimeve të Konventës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore