Shqipëria

Ilir Meta shpërthen me akuza ndaj SPAK-ut


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shpërthyer në një varg akuzash kundrejt Prokurorisë së Posaçme SPAK, duke e akuzuat këtë të fundit se është në shërbim të kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Me tone deri në ofenduese, ku bën etiketime si “SPAK-u torollaku”, apo duke thënë se kërkon përballje me kryeprokurorin Altin Dumani, Meta tha se misioni i tij tashmë është të demaskojë gjithë padrejtësitë e bëra nga Prokuroria e Posaçme.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një interviste në emisionin “Opinion”.

Ai parashtroi se nuk i intereson se në çfarë hetimi është vetë nga SPAK-u, duke e quajtur veten si politikanin më të pastër në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, thotë se i vjen keq që institucioni ka mbrojtur emra si Erion Veliaj në çështjen e inceneratorëve.

Megjithatë, akuzën e vazhdoi duke e quajtur SPAK-un edhe organizatë politike dhe jo një institucion hetimor në vend.

Ai tha ndër të tjera edhe se mendon se Dumani, e ka personale me të gjithë çështjen dhe se dosja në SPAK ndaj tij është hapur pasi Dumani është takuar me Charles McGonigal, ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, tashmë të dënuar në SHBA për lidhje me Rusinë, fshehje pasurie dhe dokumentesh.

“SPAK është në shërbim kriminal të Edi Ramës. Torollaku se kujton se me këto presione do më ndalojë mua, e duke kapur ndonjë laraskë, do marrë peng Partinë e Lirisë”, shtoi më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore