Shqipëria

Meta hedh sërish akuza të forta ndaj Altin Dumanit dhe SPAK


Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka vijuar me një retorikë të ashpër kundrejt drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani dhe vetë institucionit të lartë hetimor në vend, duke e përshkruar atë si të kapur nga qeverisja socialiste.

Në një konferencë për shtyp, Meta shpjegoi gjithashtu edhe arsyen pse është thirrur më 13 qershor nga SPAK.

Meta e konsideroi SPAK si aleatin më të verbër të Edi Ramës, duke shtuar se Prokuroria Speciale nuk ka asnjë sukses. Madje Meta tha se SPAK përdoret nga Edi Rama ndaj atyre që Presidenti i PL-së i konsideroi si “limon të shtrydhur”.

Nga ana tjetër, e etiketoi Altin Dumani si “një provokator në shërbim të Edi Ramës’.

“Kishte hallin e inceneratorit ai, nuk ka hallin që qytetarët e Tiranës po vidhen çdo ditë. Pse nuk heton Portin e Durrësit ky Dumani? Më pyet sot mua a e njeh ti Alberto Rançinin? I them çfarë është ky? Jo po ky të ka bërë dhuratë lule për ditëlindje”, tha Meta.

Më pas, ai vijoi të shpjegonte versionin e tij të rrethanave: Mbasi u firmos me 140 vota reforma në drejtësi, ata vazhduan lojën duke zgjedhur Arta Markun me 69 vota si Prokurore e Përgjithshme, më pas ajo zgjodhi KLP siç ia kishte qejfi dhe më pas ata zgjodhën SPAK, që sot kontrollohet nga Edi Rama dhe Engjëll Agaçi, personazh kryesor edhe i reportazhit të RAI3.

“Jam thirrur si denoncues i atij betimit te Lana, i asaj kandidates për gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese. Kemi një Gjykatë Kushtetuese që sot ka dhënë 99% e vendimeve në favor të Qeverisë”, përmendi më tej ironikisht.

Më pas, vijoi me ironinë karshi SPAK: Jam thirrur si denoncues i planeve për ndarjen e Kosovës, duke mos i dekretuar Edi Ramës kandidatin e propozuar si ministër të Jashtëm. Jam thirrur si denoncues i aferës së detit, që ka si protagonist kryesor Edi Ramën. I jam drejtuar deputetëve me një letër që të marrin përgjegjësitë që iu takojnë për një çështjes madhore. Jam thirrur sepse kam denoncuar SPAK që nuk ka hetuar asnjë nga ato çështjet e krimeve zgjedhore. Është përgjegjësi e SPAK që të hetonte edhe atë vrasjen e ndodhur në Elbasan. Kam çuar në SPAK të gjithë ligjet me porosi që ka bërë Edi Rama dhe SPAK nuk ka bërë asnjë hetim ndaj tyre. Jam thirrur në SPAK pasi kam denoncuar falsifikimin e firmës së Kryetarit të Kuvendit, në atë rastin për hetimin e Presidentit.

Ai theksoi se pikërisht për këto arsye është thirrur në SPAK, pa përmendur gjithsesi çështjen konkrete dhe duke e lënë në rrafshin e ironisë gjithë retorikën e tij.

Në mbyllje ndërkaq, e emërtoi Qeverinë si një “narko-shtet” dhe asaj i bashkëngjiti edhe një “narko-drejtësi”.

Ai tha se SPAK ka gjymtuar hetimet për çdo denoncim që ka bërë opozita, duke nisur nga inceneratorët te dalja e të dhënave të qytetarëve, ku në vend që të hetonte ata që nxorën të dhënat, u mor me gazetarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore