Kulturë

Mësuesja “feministe” që bashkoi besimtarët në një shkollë


Urani Rumbo është një emër pak i njohur për historiografinë shqiptare, por rezymeja jetësore e saj njihet nga shumëkush.

Njësoj si motrat Qiriazi, figura e Rumbos bëri bujë duke iu kthyer një tradite të edukimit të gruas shqiptare.

Rreth viteve ’20-të, ajo hapi shkollën fillore pesëvjeçare për vajza “Koto Hoxhi”, e themeluar me ndihmën e mbështetësve nga klasa e ulët dhe e mesme.

Ambientet e saj do të frekuentoheshin nga vajza, të cilat vinin nga pjesë të ndryshme të Gjirokastrës.

Në të njëjtën kohë, Rumbo do të niste një fushatë kundër mbulesës në emër të grave gjirokastrite.

Por, jo vetëm kaq, intelektualja brenda aktivistes filloi të punonte për të luftuar analfabetizmin femëror dhe praktikën borgjeze të kufizimit të grave në zona të veçanta të familjes.

Për herë të parë, shkolla e hapur nga Rumbo bëri bashkë njerëz nga fe të ndryshme.

Gazetat e Gjirokastrës “Demokratia” dhe “Drita”, nën botimin e tyre, do të hidhnin dritë mbi problemet me të cilat përballen gratë shqiptare, veçanërisht mungesën e arsimimit të tyre.

“Shkollimi është edukimi i shpirtit” do të shpërfaqej në ballinën e gazetës “Drita” më 20 maj të vitit 1921.

“Aktet”

Një dimension tjetër i vepërzimit të Urani Rumbos ishte organizimi i shfaqjeve teatrore në shkolla.

Në këtë mënyrë, vajzat mund të inkurajoheshin që të merrnin pjesë në ngjarje publike dhe të rrisnin vetëbesimin e tyre.

Në një klimë patriarkale ku vajzave u ndalohej të merrnin pjesë në kurse teatrale dhe të qenit aktore konsiderohej e turpshme, Rumbo futi kurse teatrore në shkolla dhe shkroi pjesë teatrale.

Ajo drejtoi shfaqjet e “Agamemnonit”, “Kuleta e neqezit”, “Fiqtë dhe dituria” apo “Nipi i këpucarit”.

Këto të fundit trajtonin historinë shqiptare dhe dëshirën e grave për arsimim.

Më 23 nëntor të vitit 1920, Urani Rumbo, së bashku me Hasibe Harshovën, Naxhije Hoxhën dhe Xhemile Bilalin, të gjitha nga Gjirokastra, themeluan “Lidhjen e Gruas”.

Gratë publikuan një deklaratë në gazetën “Drita”, duke protestuar kundër diskriminimit ndaj tyre. Lidhja e gruas ishte një nga organizatat e para të shquara të grave shqiptare që luftoi për barazi dhe emancipim të grave.

Katër vite më pas do të themelohej një tjetër organizatë e grave, “Përmirësimi”. Urani Rumbo deklaronte (në statutin e Përmirësimit) se gratë intelektuale, mësueset, prindërit dhe nxënësit duhet të takohen për të diskutuar mbi problemet dhe padrejtësitë e veçanta që hasin zakonisht gratë.

Lëvizja e grave në Gjirokastër po forcohej asokohe në një klimë të karakterizuar nga pretendimet – të feve ortodokse dhe islame dhe të regjimit politik – se statusi më i ulët shoqëror i grave ishte “i pandryshueshëm”.

Autoritetet shqiptare i njohën me vonesë përpjekjet e saj më 1 mars në vitin 1961, duke i dhënë asaj titullin “Mësuese e Popullit”, një çmim i dalluar gjatë periudhës komuniste.

Jetëshkrimi

Urani Rumbo lindi në dhjetor të vitit 1895 në Stegopuli, një fshat jugor shqiptar në Gjirokastër.

Ajo kishte dy vëllezër, Kornilin dhe Thanasin dhe një motër Emilia.

Babai i saj, Spiro Rumbo, ishte mësues dhe nëna Athinaja, shtëpiake.

Urani kreu gjashtë klasat e arsimit fillor në shkollën ku i ati ishte mësues, në fshatin Filat.

Një nga nxënëset më të mirë të shkollës, e talentuar në letërsi dhe poezi, Urani shumë shpejt u njoh me veprat e folkloristëve shqiptarë (si Spiro Dine dhe Thimi Mitko) dhe me shkrimtarët (Naum Veqilharxhi dhe Konstandin Kristoforidhi).

Ajo mësoi rrjedhshëm shqip e greqisht dhe që në moshën 15-vjeçare, filloi t’u mësonte shqip njerëzve përreth saj.

Gjuha u bë një nga çështjet më të rëndësishme politike në një vend që luftonte për pavarësi (nga Perandoria Osmane) dhe që rezistonte ndaj strategjive pushtuese të fqinjëve të tij.

Nga viti 1910, Urani Rumbo ndoqi një shkollë të mesme në Janine/Janinë (qytet në Greqinë veriperëndimore), ku studioi veprat e Homerit dhe Sofokliut.

Lufta Ballkanike, e ndjekur nga Lufta e Parë Botërore, ndërpreu arsimimin e Rumbos.

Ajo vazhdoi të mësonte italisht dhe frëngjisht, si dhe të studionte greqishten dhe latinishten.

Rumbo, së cilës iu desh të luftonte në familjen e saj për t’u lejuar që të ndiqte shkollën e mesme në Janinë, besonte fuqimisht se arsimi ishte mënyra më efektive për të përmirësuar jetën dhe statusin social të grave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore