Sport

Messi do të nënshkruajë për pesë vite me Barcelona-n


Sipas gazetës së përditshme katalanase “Mundo Deportivo”, Lionel Messi do të nënshkruajë kontratë 5-vjeçare me Barcelona-n dhe së shpejti do të zyrtarizohet gjithçka.

Sipas asaj që thuhet nga mediat spanjolle, Messi ka pranuar të ulë pagën, në mënyrë që klubi të mos ketë probleme me kufirin e pagave të vendosura nga La Liga. Besohet se ditën e enjte ose të premte do të vijë zyrtarizimi i marrëveshjes.

Kontrata 5-vjeçare për Messi-n nuk do të thotë që ai mund të qëndrojë te Barcelona deri në vitin 2026, por ai mund të largohet pas dy-tre sezonesh në SHBA, ku mund të luajë në MLS, por do të shërbejë si ambasador i klubit në atë vend.

Për të finalizuar operacionin e rinovimit të kontratës me Messi-n, përveç uljes së pagës së argjentinasit, Barça do të duhet të sistemojë disa lojtarë të tjerë me paga të larta si Antonie Griezmann-in, Miralem Pjaniç-in dhe Samuel Umtiti-n.

Sipas së përditshmes tjetër katalanase “L’Esportiu” Messi në kontratën e re do të ketë klauzolë lirimi 600 milionë euro. Ndonëse, Messi do të ulë pagën, ai do të përfitojë një bonus rinovimi prej 20 milionë eurosh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore