Lajme

Mesazhi i përfaqësuesve të lartë të BE-së në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit


Të hënën e 3 majit manifestohet në të gjithë botën Liria e Shtypit. Mesazheve dhe deklaratave për këtë ditë nuk munguan as nga përfaqësuesit e BE-së. Ata shkruajnë se “në një kohë kur raportimi i pavarur dhe i lirë i mediave është më thelbësor se kurrë, liria e shtypit vazhdon të jetë nën kërcënim”.

Sipas tyre, gazetarët vazhdojnë të përjetojnë kushte të vështira pune me rritjen e presionit financiar dhe politik, mbikëqyrjes, dënimeve arbitrare me burg ose dhunës për kryerjen e punës së tyre.

Nga të dhënat e Observatorit të UNESCO-s, 76 gazetarë u vranë që nga viti 2020, shumë më tepër janë arrestuar, ngacmuar ose kërcënuar në të gjithë botën. Një shqetësim i veçantë është dhuna me bazë gjinore që synon gratë gazetare.

“Liria e shtypit është një vlerë themelore për Bashkimin Evropian, e mbështetur nga shumë nisma të kohëve të fundit. Liria e medias dhe siguria e gazetarëve janë përparësitë kryesore të Planit të ri të Veprimit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë dhe të Planit të Veprimit për Demokracinë Evropiane”, thuhej në deklaratë.

Ata deklarojnë se, në vitin 2020, më shumë se 400 gazetarë përfituan nga mekanizmi i BE-së për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

BE-ja, ndërkaq, ndërmori veprime të rëndësishme për të mbështetur gazetarët, mediat e pavarura dhe luftën kundër dezinformimit në kontekstin e pandemisë në shumë rajone.

Në vitin e kaluar, BE-ja ka dënuar në disa raste kërcënimet dhe ngacmimet që vuajnë gazetarët e pavarur në vende anembanë botës. BE-ja, përmes Përfaqësuesit të saj Special për të Drejtat e Njeriut, ka vazhduar të angazhohet me gazetarë të përndjekur dhe ka ndërhyrë në mbështetje të gazetarëve dhe blogerëve të ndaluar.

“Delegacionet e BE-së janë zëri i BE-së në terren. Ata kanë monitoruar nga afër procedimet gjyqësore kundër gazetarëve, janë shprehur kundër shtypjes së mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe punonjësve të medias. Kanë ngritur shqetësime tek autoritetet kombëtare lidhur me legjislacionin e propozuar të komunikimit, medias, informacionit dhe transmetimit”.

BE-ja u angazhua se do të vazhdojë koordinimin me organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë dhe pioniere të qasjeve të reja. Një shembull, sipas tyre, është propozimi i Komisionit Evropian për një Ligj të Shërbimeve Digjitale që synon mbajtjen e përgjegjshme të platformave kryesore për t’i bërë sistemet e tyre më të drejta, më të sigurta dhe më transparente.

“Ne gjithashtu do të vazhdojmë veprimin tonë për të luftuar dezinformimin dhe për të kërkuar me të gjithë partnerët mjete efektive për të mbështetur modele të qëndrueshme biznesi për media të pavarura”.

Mesazhi i tyre është se liria e informacionit dhe fjala e lirë duhet të promovohen dhe mbrohen kudo. Kjo është në interesin e të gjithëve, sipas BE-së.

“BE-ja do të vazhdojë të flasë kundër çdo kufizimi të lirisë së shprehjes dhe censurës, si në internet dhe jashtë linje, në shkelje të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Liria e shtypit është një gur themeli i shoqërive demokratike, e cila mund të lulëzojë vetëm nëse qytetarët kanë qasje në informacion të besueshëm dhe mund të bëjnë zgjedhje të informuara. Liria e shtypit do të thotë siguri për të gjithë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore