Lajme

Mes nobelistësh e presidentësh amerikanë, edhe një studente nga Kosova pjesë e shoqërisë “Phi Beta Kappa”


Arritjet e shqiptarëve nëpër botë në fushën e shkencës, artit e sportit, po rriten çdo ditë e më shumë.

Madje, ka edhe prej atyre që janë bërë pjesë e grupeve shoqërore akademike në të cilat të anëtarësuar kanë qenë dhe mbeten, figura me popullaritet ndërkombëtar, si shkencëtarë, fitues të çmimeve “Nobel” e presidentë amerikanë.

Javëve të fundit, shoqërisë më të vjetër amerikane të nderit akademik “Phi Beta Kappa”, të themeluar në vitin 1776, e cila synon të promovojë dhe të mbrojë përsosmërinë në artet dhe shkencat, iu është bashkuar edhe studentja nga Republika e Kosovës, Drenusha Krasniqi.

Në një intervistë për Albanian Post, Drenusha, e cila ndjek studimet në fushën e Biokimisë në “Earlham College”, në Richmond të Indianas së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka rrëfyer detaje nga fëmijëria e saj, deri tek rrugëtimi drejt shkencës.

“Që e vogël kam qenë kurioze për gjërat rreth meje. Mbaj mend kur gjatë pushimeve verore lexoja libra jashtë nivelit tim. Gjithmonë kam dashur ta vesh mantelin e bardhë” tha Drenusha, teksa përshkruante hapat e parë të shkollimit të saj.

Drenusha, vendosi që ti përkushtohet shkencës duke u vijuar mësimet fillimisht në gjimnazin “Xhevdet Doda” ku edhe fitoi bursën për të vazhduar studimet në “United World College, Robert Bosch College”, në Freiburg të Gjermanisë.

Pas dy vitesh studime në Gjermani, destinacioni i radhës për Krasniqin, ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe arriti të bëhet pjesë e “Phi Beta Kappa”.

“Jam shqiptarja e vetme nga Kosova, pjesë e kësaj shoqërie të përzgjedhur amerikane”, tha Krasniqi.

Mes të tjerash, ajo tregon edhe për kriteret e anëtarësimit në këtë shoqëri, ku përpos përsosmërisë në arritjet akademike, rëndësi të veçantë i jepet edhe vlerave të moralit.

“Kriteret për tu bërë pjesë e kësaj shoqërie janë të shumta, si; nota e lartë, numri i kredive gjatë katër viteve studimi dhe një kombinim i klasave prej departamenteve të ndryshme. Njohja e një gjuhe të dytë, po ashtu të paktën një klasë në departamentin e matematikës dhe të tregosh sukses në të gjitha klasat dhe projektet e kolegjit”, tha ajo.

Anëtarët e “Phi Beta Kappa” bëhen pjesë e kësaj shoqërie për të gjithë jetën, e vend brenda saj zënë edhe shumë figura të shquara.

“Pjesë e kësaj shoqërie janë presidentë amerikanë, gjyqtarë të gjykatës supreme dhe fitues të çmimit Nobel. Disa nga emrat e anëtarëve janë: Mark Twain, Franklin D. Roosevelt dhe Alexander Graham Bell. Ndihem e nderuar të jem pjesë e një grupi kaq prestigjioz”, shtoi ajo.

Gjithashtu, Drenusha, gjatë studimeve në “Earlham College” është marrur me tema të ndryshme të shkencave natyrore, të tilla si “Rigjenerimi i shtyllës kurrizore (Neuroshkencë), “Infeksionet bakteriale dhe virale (Mikrobiologji) si dhe “Kompozimin bakterial të mostrave”.

Për fund, Drenusha Krasniqi, tregon për planet e së ardhmes.

“Jam e interesuar të vazhdoj studimet e doktoraturës. Qëllimi im është që një ditë të ndihmoj njerëzit me sëmundje të rënda apo të rralla, posaçërisht popullatën shqiptare nëpërmjet teknologjisë, teknikave, dhe zbulimeve më të reja shkencore”, përfundoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore