Lajme

Merkel nuk i besoi kurrë Putin-it, thotë deputeti gjerman


Autoritetet gjermane tashmë pranojnë se gjatë gjithë këtyre viteve qëndrimi politik ndaj Rusisë ka qenë i gabuar.

Në të njëjtën kohë, ish-kancelarja Angela Merkel nuk i besoi kurrë presidentit rus Vladimir Putin.

Këtë e bëri të ditur deputeti i Bundestag-ut nga Unioni Kristian Demokrat (CDU) Thomas Heilmann në një intervistë për TSN.ua.

Ai pranoi se politika e ndjekur nga bota perëndimore dhe Gjermania në veçanti nuk ishte më e mira, pasi nuk ishte e mundur të shmangej sulmi rus ndaj Ukrainës.

“Kam biseduar me Merkel-in. E njoh prej 20 vitesh. Dhe ajo gjithmonë thoshte se Putin-i gënjen. Kjo është arsyeja pse ajo kurrë nuk i besoi Putinit”, theksoi fillimisht deputeti gjerman.

Merkel i kishte thënë personalisht Heilmann-it gjatë një bisede kokë më kokë se nuk i besonte Putin-it.

Politikani theksoi gjithashtu se Gjermania nuk i beson Rusisë. Megjithatë, ndonjëherë interesat ekonomike të vendeve ende mbizotërojnë në arenën politike.

“Ne nuk u besojmë atyre personalisht dhe e dimë se ata, për fat të keq, na gënjejnë, por nëse interesat ekonomike varen nga ne aq sa ne varemi prej tyre, kjo do t’i pengojë ata të kryejnë veprime absolutisht irracionale”, shtoi deputeti i CDU-së.

Sipas tij, lufta kundër Ukrainës është “vetëvrasje ekonomike e Rusisë”. Kjo do ta kthejë Rusinë 30-40 vjet pas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore