Shqipëria

MEPJ-ja reagon pas akuzave për diplomaten e emëruar në Turqi


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar përmes një note zyrtare për akuzat ndaj diplomates së emëruar në Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Stamboll, Juna Harka.

Ndaj kësaj të fundit, Partia Demokratike bëri një denoncim, ku u shpreh se sekretarja e dytë e konsullatës shqiptare në Stamboll, e kishte bashkëshortin “trafikant droge”.

“Për dijeni të opinionit publik, në jetëshkrimin e paraqitur pranë MEPJ-së rezulton se shtetasja në fjalë plotëson të gjitha kushtet. Ajo ka përfunduar studimet e larta jashtë vendit për marrëdhënie ndërkombëtare, zotëron tre mastera dhe ka një përvojë të gjerë në mësimdhënie, gazetari dhe botën akademike. Për më tepër Harka, e cila është lindur e rritur në familje diplomatësh zotëron shkëlqyer katër gjuhë të huaja, ndër të cilat gjuhën turke”, vëren institucioni i diplomacisë.

Sipas tyre, në kuadër të transparencës nënvizohet fakti se në dokumentet zyrtarë (certifikatë familjare) Harka rezulton e pamartuar.

“Pas emërimit, ajo nuk e ka marrë detyrën, pasi gjatë kësaj periudhe ka qenë në proces verifikimi, në përputhje me ligjin. Informojmë se gjatë këtij procesi verifikimi, Harka i ka kërkuar Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në MEPJ të tërhiqet, për arsye personale”, shtoi MEPJ-ja.

Diplomacia shqiptare thekson se Harka “nuk ka shërbyer asnjë ditë në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, nuk ka pasaportë diplomatike dhe nuk ka gëzuar për asnjë moment imunitetet dhe privilegjet që të jep statusi i diplomatit”.

“Faktet e mësipërme dëshmojnë se gjithçka që i është servirur sot opinionit publik vetëm për arsye politike janë akuza të pabaza dhe keqinformim”, përmbyllet reagimi institucional.

Referuar denoncimit të PD-së, Juna Harka rezultonte e martuar me shtetasin turk Ramazan Keskin, i cili është kreu i një organizate kriminale aktive në narko-trafik.

Për të ka një urdhër-arrest evropian që në vitin 2020, shtoi zëdhënësja e selisë blu Floriana Garo.

Ajo u shpreh në një konferencë për mediat se në fillim të shkurtit të këtij viti, dy javë përpara se Juna Harka të emërohej në Stamboll, SPAK vendosi vënien në sekuestro të pasurive në Shqipëri të bashkëshortit të saj Keskin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore