Lajme

Memorandumi ‘i pazakontë’ i ambasadës izraelite në Shqipëri


Nuk ndodh çdo ditë që zyrtarë të lartë të një shteti evropian akuzojnë Izraelin për ndërhyrje “të çmendur” në politikën e tyre të brendshme që është “e vështirë për t’u kuptuar”.

Megjithatë, kjo ndodhi në Bosnjë-Hercegovinë në fillim të këtij muaji.

Ambasada izraelite në Shqipëri, e cila mbulon diplomacinë në të gjithë Ballkanin, hartoi një memorandum të pazakontë.

Kjo, duke shprehur mbështetje për një propozim për ndryshimin e ligjeve zgjedhore të Bosnjës, edhe pse ndryshimi pritet të rrisë fuqinë e liderëve më reaksionarë të vendit.

Kështu shkruan gazeta izraelite “Haaretz” në editorialin e saj.

Disa izraelitë mendonin se me largimin e Benjamin Netanyahu-t nga pushteti do të merrte fund edhe “romanca groteske e vendit me lëvizjet politike reaksionare, ultranacionaliste, anti-myslimane dhe ndonjëherë edhe antisemitike në Evropë”.

“Haaretz” sjell në vëmendje marrëdhëniet me kryeministrin hungarez Viktor Orban.

Ky i fundit, është i famshëm për sulmet e tij ndaj filantropit miliarder hebre, hungaro-amerikan George Soros.

Kryediplomati boshnjak deklaroi se memorandumi, i cili u zbulua në mediat lokale dhe u bë tituj në faqet e para atje, bie ndesh me qëndrimin e qeverisë boshnjake.

Komuniteti i vogël hebre boshnjak denoncoi gjithashtu “ndërhyrjen e kotë dhe partizane të Izraelit”.

Sipas pikëpamjes së shumicës myslimane të Bosnjës, Izraeli po ndërhyn në një mënyrë të padëshiruar në politikën e brendshme të vendit.

Kjo, për të bashkuar forcat me nacionalistët kroatë që promovojnë një reformë zgjedhore për t’i përfituar ata në kurriz të popullsisë myslimane.

Një ish-ministër i qeverisë boshnjake i tha Haaretz-it i zemëruar se “antagonizimi i një kombi me shumicë myslimane në Evropë me një histori të gjatë të mbrojtjes së hebrenjve dhe trashëgimisë hebreje nuk mund të jetë në interesat e Izraelit”.

Izraeli ka mbajtur anën e një partie politike që refuzon të dënojë krimet e regjimit fashist të Kroacisë gjatë Luftës së Dytë Botërore – një regjim që mbështeti Gjermaninë naziste dhe ishte përgjegjës për vrasjen e dhjetëra mijëra hebrenjve.

Autoritetet izraelite kanë një histori të ndërlikuar të marrëdhënieve me liderët ultranacionalistë në shtetet e Ballkanit.

Ajo mbështeti embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara gjatë luftërave civile atje në vitet 1990.

Por sipas raporteve të ndryshme të botuara gjatë viteve, armët izraelite me sa duket arritën te forcat serbe që masakruan myslimanët boshnjakë.

Megjithatë, nën qeverisjen e kryeministrit Yair Lapid, i cili është edhe ministër i Jashtëm, Izraeli është zhytur në një “nadir” të ri në Ballkan.

Ambasada izraelite tani po punon kundër interesave dhe dëshirave të komunitetit lokal hebre, ndërkohë që bashkëpunon me populistët e krahut të djathtë dhe largon miqtë myslimanë, shkruan botimi “Haaretz”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore