Sport

Memaliaj – “minatorët” që mbajnë gjallë traditën e futbollit


Futbolli në Shqipëri është një sport që zhvillohet mes sakrificave dhe pasionit, ndryshe do të ishte inekzistent. Sot Albanian Post do të sjell shembullin e Memaliajt, si një shembull tipik, ku pasioni për këtë sport mban gjall emrin dhe traditen e një qyteti.

Qyteti i vogël i minatorëve, Memaliaj aktualisht nuk ka më shumë se 10 mijë banorë, dhe sigurisht që nuk ka të ardhura të mëdha sa për të financuar fuqishëm futbollin. Por, këtyre njerëzve nuk u nevojiten shuma të mëdha për të mbajtur gjallë traditën, historinë dhe pasionin për futbollin.

Kurrsesi nuk mund të krahasohen me qymyrxhinjtë e Anglisë, Newcastle-n, po kur vjen puna te sakrifica për emrin e ekipit, padiskutim që janë “heronj” të vërtetë.

Por le të prezantojmë klubin për të gjithë ata që nuk e njohin. I krijuar në 1948, nën emrin Minatori, është një nga klubet më të vjetër në Shqipëri, që ka nxjerrë dhe lojtarë të kalibrit të lartë si Foto Strakosha.

Në vitin 1983 ekipi bëhet me dy fusha dhe transferohet në Tepelenë, ndërsa stervitja kryhej në Memaliaj dhe emri ekipit u vendos Minatori Tepelenë. Në 1986 do të krijoheshin dy ekipe dhe Memaliaj do të dilte përsëri me ekipin e vetë.

Nga vitet 1990 dhe deri në 2011, klubi ishte nën pronësinë e Bashkisë Memaliaj. Pas 2011 me ndryshimin e ligjeve nga UEFA dhe FSHF, ku klubet duhet të ishin të pavarura nga shteti dhe të funksiononin si Shoqëri Aksionere (SHA) ose Organizata Jo-fitimprurëse (OJF), klubi i Memaliajt, në pamundësi për të gjetur donator, kaloi në OJF dhe donator në këtë rast u bë Bashkia Memaliaj. Në 2018 klubi ngritit strukturat e veta, por përsëri donator mbeti bashkia.

Rreth gjendjes aktuale të klubit, ka folur për Albanian Post (AP), drejtori sportiv i Memaliajt, Xhevit Kacorri. Sipas tij në mungesën e donatorëve të tjerë, bashkia ka qenë në nivelin e duhur për të administruar sa më mirë klubin.

“Rezultatet e kësaj forme administrimi kanë qenë të frytshme, sepse lojtarët marrin dhe trajtimet ushqimore për të plotësuar sadopak nevojat e një futbollisti”.

“Në vitin 2019 donacioni i bashkisë për futbollin ishte 65 milionë lekë të vjetra, duke përfshirë bazën material dhe mirëmbajtjen e terreneve sportive. Rezultatet ishin të kënaqëshme, sepse me kaq të ardhura, ekipi mori pjesë në play-off, kur ekipet kundërshtare kishin trefish buxhet më shumë”.

“Me ndryshimin e titullarve dhe këshillit bashkiak, buxheti u reduktua në 35 milionë lekë të vjetra. Por, ndikimi i pandemisë që mbajti pezull kampionatin, solli dhe reduktime të shpenzimeve në klub”.

“Kuptohet se buxheti nuk është i mjaftueshëm, por e rëndësishme është që klubi i ka shlyer detyrimet ndaj lojtarëve, apo palëve të tjera që kanë lidhje me klubin dhe mund të them se është një nga klubet më të mirë administruar në këto kohë pandemie”.

Një nga problematikat kryresore për futbollin e kategorive më të ulëta në Shqipëri është edhe terreni, që pas reshjeve të shiut, fushat kthehen në “pishina”. Duke bërë që FSHF të shtynte përkohësisht rifilimin e Kategorisë së Dytë dhe të Tretë, që duhet të fillonte në janar.

Kacorri tha për AP se fusha e stadiumit “Karafil Çaushi” nuk e kishte një problematik të tillë, por nuk mund të thoshte të njëjtën gjë dhe për fushën stërvitore.

“Terreni është shumë i mire dhe sistemi i drenazhimit është brenda parametrave.  Por, na penalizon shumë një fushë stërvitore, sidomos kur koha është e keqe”.

“Kuptohet që futbolli ka kosto, por kur shikoj skuadra që kanë trefishin e buxhetit tonë apo dhe më shumë, që janë shumë pas nesh në këte drejtim, ndihem krenar për çunat dhe punën që kemi bërë, pasi qyteti im është një qytet futbolldashës”.

Kacorri është ndalur të flasi edhe për ligjin e sportit, shumë të diskutueshëm në këtë fillim sezoni, që kërkohet me ngul nga ekipet e Superiores dhe FSHF.

“Sigurisht që ligji “de facto” i shërben dhe zhvillon lojën e bukur, si në gjithë Europën dhe më gjerë, por unë jam kundër çdo bojkoti, sidomos kur bie në kurriz të futbollistëve, pasi një pjesë e tyre mezi mbajnë frymën gjallë”.

“Imagjino unë jam drejtor sportiv, bëj të njëjtën punë si një koleg i imi në Europë, ndërkohë që unë marr rrogë, sa një pension minatori, po futbollisti …”.

“Por ajo që më bën çudi është se ndoqa kohë më parë kur Igli Tare, me gjithë modestinë e tij erdhi dhe bëri dhuratë, bazë materiale për ekipin e Tepelenës. Bravo, shumë bukur, por më vajti mendja tek ato figura sportive që janë rritur në qytetin tim dhe nuk e kthejnë kokën më pas”, përfundoi ai.

Memaliaj, me buxhet të plote ose jo, me ose pa ndihma nga të tjerët, po vazhdon me krenari të mbajë sa më lart emrin e ekipit dhe siç shprehet dhe vetë Kacorri “tradita vazhdon”.

Aktualisht ekipi gjendet në vendin e 10, në Grupin B, të Kategorisë së Dytë. Ndeshjen e radhës do e ketë derbi me Tepelenën. Ndeshja do të luhet në 21 shkurt, në orën 13:30, ne stadiumin “Karafil Çaushi”, gjithmonë nëse nuk do të ketë zhvillime të tjera, për shkak të pandemisë ose kushteve atmosferike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore