Kosova

Mehaj në takim me komandantin amerikan, kërkon bazë të përhershme ushtarake në Kosovë


Armend Mehaj në takim me Komandantin e Komandës së Operacioneve Speciale të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë vizitës zyrtare në Kanada, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Siguri në Halifax, ka takuar Komandantin e Komandës së Operacioneve Speciale të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ç’rast ka ritheksuar rëndësinë e pranisë së një baze të përhershme ushtarake në Kosovë.

Sipas Mehaj, një bazë ushtarake amerikane në Kosovë do të ishte benefit jo vetëm për këtë të fundit por, edhe për gjithë rajonin dhe më gjerë.

“Forcat Amerikane janë modeli ynë i stërvitjes dhe operacioneve ushtarake, gjatë takimit diskutuam për përkrahjen e vazhdueshme të ofruar nga SHBA-të, për çka shpreha falënderimin tim”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

“Shkëmbyem opinione rreth zhvillimeve aktuale në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, si në nivelin nacional, e poashtu edhe në atë rajonal e global”, ka përfunduar ai.

Ndryshe Mehaj gjatë të shtunën e 21 tetorit gjatë Forumit Ndërkombëtar për Siguri në Halifax, kishte takuar edhe shefin e Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Holandës, gjeneral Onno Eichelsheim, me ç’rast kishin diskutuar për një bashkë-zbarkim të Forcave të Sigurisë së Kosovës me trupat holandeze.

“Bashkë u dakorduam për të shqyrtuar mundësitë për thellimin bilateral të mëtejmë në fushën e sigurisë, veçanërisht për mundësinë e bashkë-zbarkimit të trupave tona në misione ndërkombëtare ku trupat holandeze janë të angazhuara”, kishte shkruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore