Lajme

Mehaj: Kosova është ngritur për pesë vende në fuqinë ushtarake


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Për pesë vende është rritur Kosova sipas fuqisë ushtarake, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Mehaj është shprehur se kjo vjen duke u bazuar në matjet vjetore të GFP-së.

“Bazuar në matjet vjetore të GFP, rishikimit vjetor të indeksit të Fuqisë Globale Ushtarake 2023, në mesin e 145 shteteve, Kosova ka shënuar një ngritje për pesë vende sa i përket fuqisë ushtarake dhe njerëzore”.

Ai ka treguar tutje se çka është vlerësuar në këtë studim.

“Në këtë studim është vlerësuar numri i ushtrisë, numri i pajisjeve ushtarake, niveli i financimit të sferës ushtarake, infrastruktura e transportit të vendit, qasja në produktet e naftës dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në aftësinë luftarake të ushtrisë”.

Indeksi i Fuqisë Globale.

Ministri ka shtuar se ushtria çdo vit është duke shkuar drejt përmirësimit në aspektin profesional.

“Ushtria e Republikës së Kosovës çdo vit e më shumë po ngritë kapacitetet e saj profesionale dhe operacionale për të kontribuar jo vetëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të vendit, por dhe në rajon e më gjerë”.

Indeksi i Fuqisë Globale 2023, i hartuar nga Global Fire Power e ka renditur Kosovën në vendin e 134-të nga 140 shtete të marra në studim, sa i përket fuqisë së tyre ushtarake dhe njerëzore.

Në krahasim me vitin e kaluar, Kosova ka përmirësim në pesë shkalla.

Në 2021 Kosova renditej e 139-ta në botë, ndërsa aktualisht ndodhet në renditjen 134-të, duke lënë prapa, Panamanë, Republikën e Afrikës Qendrore, Islandën, Sierra Leone, Beliz, Surinami, Somalinë, Moldavinë, Beninin dhe Butanin.

Edhe Shqipëria është renditur në vendin e 91, duke u ngritur për 24 vende, krahasuar me vitin 2022 që ishte në vendin e 115-të.

Ndërsa, Serbia është e pozicionuar në vendin e 58, duke pësuar rënie për katër shkallë.

Sipas studimit, Kroacia renditet e 69-ta në total, Bosnja e Hercegovina renditet në vendin e 133-të, Mali i Zi në vendin e 128 dhe Maqedonia e Veriut në vendin e 108-të.

Kurse, 10 vendet me ushtritë më të fuqishme janë SHBA-ja, Rusia, Kina, India, Britania e Madhe, Koreja e Jugut, Pakistani, Japonia, Franca e Italia.

Global Fire Power, është e njohur për publikimet statistikore në fushën e ushtrisë, logjistikës, resurset natyrore dhe ato financiare.

Ndryshe, Forca e Sigurisë së Kosovë, përkitazi me moshën, është një strukturë e organizuar mirë, por për shkak të buxhetit të vogël dhe kufizimeve të tjera, qëndron shumë dobët me armatimin e rëndë.

FSK-ja vazhdon që ende të mos ketë armë të krahut, armë anti-tank, armë për mbrojtje kundër-ajrore dhe gjithashtu nuk ka helikopterë për bartjen e njësiteve prej një vendi në vendin tjetër.

Për shembull, vetëm lëshuesi i predhës “FGM-148 Javelin”, amerikan, kushton mbi 160 mijë euro, derisa një predhë e vetme për këtë pajisje kushton rreth 93 mijë euro.

Pajisje të tjera janë akoma më të shtrenjta.

Kosova dhe Shqipëria shënojnë ngritje të fuqisë ushtarake

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore