Lajme

Mehaj kërkon të niset fushatë për anëtarësim në BE dhe NATO përmes rrjeteve sociale


Ish ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kërkuar që të niset një fushatë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Mehaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka kërkuar që pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian t’u tregohet “e vërteta e Kosovës”.

“Të ftoni, kudo që jeni dhe nga cilado pozitë që keni, miqtë tuaj spanjoll, grek, rumun, sllovak dhe qipriot, edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, ta dëgjojnë të vërtetën e Kosovës dhe të popullit tonë”, ka shkruar Mehaj.

Ish-ministri ka kërkuar nga qytetarët të vendosin në profilet e rrjeteve sociale dy “hashtag”.

“Republika e Kosovës, historikisht dhe kulturalisht, është pjesë e pandarë dhe e natyrshme e familjes evropiane. Ju faleminderit paraprakisht për angazhimin tuaj. Të gjithë së bashku, në profilet tona të rrjeteve sociale të vendosim: #KosovoInNato #KosovoInEU”.

Sipas tij, Kosova e ka dëshmuar që meriton të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s.

“Republika e Kosovës dhe populli ynë, ndajnë vlera të përbashkëta euroatlantike të lirisë, të paqes dhe të demokracisë.– Republika e Kosovës është partner i besueshëm, e këtë e kemi dëshmuar në vazhdimësi në secilin projekt të përbashkët në funksion të humanitetit, paqes, sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë”.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për themelimin e grupit punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) është një aleancë ushtarake ndërqeveritare, e përbërë nga 31 shtete. E themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, organizata zbatoi Traktatin e Atlantikut të Veriut, nënshkruar në Uashington, më 4 prill 1949.

NATO është një sistem sigurie kolektive: shtetet e saj anëtare të pavarura bien dakord të mbrojnë njëri-tjetrin kundër sulmeve nga palët e treta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore