Shqipëria

Media dhe ‘Media’|Kush monitoron kë në Shqipëri?


Sa media ka në Shqipëri? Shumë!

Askush nuk e ka numrin e saktë të gjithë operatorëve që funksionojnë në fushën e krijimit dhe shpërndarjes së lajmeve.

Në disa raporte, në Shqipëri rezultojnë mbi 600 media. Në rrugë jozyrtare thuhet shpesh se janë mbi 800. Në kafene, betohen se ka mijëra, të gjendura në çdo cep të imagjinueshëm të vendit.

Pikërisht ky, është një shqetësim madhor i ngritur jo pak herë në opinion publik. Pse ekzistojnë kaq shumë media? Kush i zotëron? Kush punon aty?

Në një anketim të zhvilluar në vitin 2018 nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, ishin pjesëmarrëse 120 media, të spektrit online, njohur gjerësisht si portale.

Ky term vetë nuk e përligj tërësisht gjithsesi qëllimin e funksionit, pasi në një portal, normalisht, të gjithë mund të hyjnë me një llogari dhe të shkruajnë. Pra, si portal, mund të cilësohen mediat sociale.

Ndërsa të ashtuquajturat portale në Shqipëri, janë “media” të cilat përpiqen të pasqyrojnë virtualisht mesazhe të përpunuara mediatikisht.

Model jo model

Ajo që bie në sy gjithsesi, është modeli i biznesit që këto “media” kanë krijuar. 23% e tyre sipas sondazhit, janë pjesë e mediave tradicionale. 39% funksionojnë si biznese më vete. Pjesë e një biznesi tjetër janë 8% e tyre, si OJF janë regjistruar 16%, publike 2% ndërsa të paregjistruara, janë 12%.

Por, përtej këtyre shifrave të larta të mosdeklarimit, 71% pohojnë se përdorin reklamat për fitim.

E, paçka se e bëjnë këtë, vetëm 12% e tyre arrijnë të gjenerojnë të ardhura. Pjesa tjetër mbulojnë shpenzimet ose ndalen në humbje.

Këto humbje, sigurisht kanë kosto dhe sipas po të njejtit studim, ato mbulohen në pjesën më të madhe nga vetë pronarët e mediave apo biznese të tjera të kompanisë.

Pyetja që ngrihet vetvetiu, është se kush qëndron pas këtyre mediave. Mbi të gjitha, me 19% prej tyre, të cilat i mbulojnë humbjet me burime të pa specifikuara!

Në pjesën më dërrmuese të tyre, bëhet fjalë për biznesmenë të fuqishëm (ndër ta edhe me lidhje të forta politike), të cilët veç lidhje me median nuk kanë. Por, emra të tjerë – shpesh edhe anonimë – rezultojnë pronarë, apo edhe vetë gazetarë me emër.

Këtu, flitet edhe për emra mediash shumë të dëgjuara në vend!

Por, kush i kontrollon këto “media”?

Mediat tradicionale janë të kontrolluara dhe monitoruara nga Autoriteti i Mediave Audiovizise (AMA).

Në një përgjigje zyrtare për Albanian Post, AMA e pohon se në bazë të nenit 4 të ligjit 97/2013, nuk ka kompetenca të monitorojë aktivitetin e portaleve.

Kompetencë e AMA-s është monitorimi i 48 kanaleve televizive. Këtu përfshihen jo vetëm televizione kombëtare por edhe lokale apo kabllorë.

Vetëm gjatë vitit 2021, AMA ka vendosur nëntë masa administrative ndaj tyre. Dy prej tyre ndaj subjekteve përsëritëse për mosnjoftim ndryshimesh, por të cilat janë shfuqizuar më pas.

Shtatë sanksionet e tjera janë vendosur nga inspektorët e AMA-s ndaj subjekteve që kanë transmetuar programe pa të drejta televizive. Këto masa janë po ashtu në proces ankimimi nga subjektet.

Pra, AMA nuk i monitoron portalet.

Një institucion tjetër, i cili ka kompetenca të pjesshme për mediat elektronike, është Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Sërish, në një përgjigje zyrtare për Albanian Post, në bazë të pikës 1 në nenin 2 të ligjit 9918/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, AKEP-i nuk ka kompetencë ligjore të shqyrtojë përmbajtjen e komunikimeve elektronike, pra nuk ka kompetencë të shqyrtojë as përmbajtjet e faqeve të internetit.

Për këtë fakt, AKEP-i nuk mund të regjistrojë mediat online apo të kryejë monitorim ndaj tyre.

Por, ajo që mund të bëjë AKEP-i, është të kërkojë pranë sipërmarrësve të komunikimeve elektronike, bllokimin e aksesit në këto faqe online. Kjo gjithsesi, mund të ndodhë vetëm me kërkesë nga organet gjyqësore apo të ndjekjes penale.

Kjo e fundit, duhet të bëhet nga individë apo shoqëri që kanë ankesa ndaj mediave. Pra, të ngrihet një padi. E vetmja formë “monitorimi”, është kjo e denoncimit.

Faktike, por jo legale

Në tetor të vitit 2018, pas një deklarate të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ishte pikërisht AKEP-i, ai i cili lajmëroi një numër të madh portalesh të njohura në Shqipëri, që të regjistronin biznesin e tyre me NIPT.

Ishin 44 portale, të cilat nuk ishin të pajisura me një të tillë. Më pas, rreth 60 të tjerë, ishin të regjistruar, por nuk e kishin pasqyruar dokumentacionin. Pra, 104 portale, të cilat edhe pse ishin shumë faktike dhe të pranishme në mjedisin mediatik, ishin pjesërisht ose aspak ligjore.

Madje, në një raport mbi Panoramën e Medias në Shqipëri të realizuar nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Shqipëri në vitin 2019, një nga detajet që ra në sy ishte anketimi i punonjësve, 65% e të cilëve pranuar se kishin punuar në të zezë në media.

Albanian Post, ka kryer hulumtime edhe mbi gjendjen e sotme, të thuajse tre viteve më pas. Në rrugë zyrtare, asnjë nuk e pranon, por në rrugë konfidenciale, një “parajsë mediatike offshore” fshihet në minierën e thellë mediatike shqiptare.

Ndër ta, edhe ish-zyrtarë shtetërore, kanë pohuar se shumë portale regjistrohen në vende të huaja, ku janë të përjashtuar nga taksat. Kështu, maksimizojnë jo vetëm fitimet në Shqipëri, por edhe shpëtojnë nga një sitë e mundshme e autoriteteve.

Një fakt i tillë u tha zëlartë edhe gjatë disa mbledhjeve me dyer të mbyllura të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, gjatë diskutimeve për paketën e njohur si “Antishpifje”.

Disa deputetë e ngritën zërin se ata vetë njohin pronarë mediash offshore. Por, përtej kësaj, sërish projektligjin e cilësonin të gabuar!

Antishpifje, Antimedia?

Një paketë e njohur si “Antishpifje”, u bë ndër çështjet kryesore në fund të vitit 2018 në punimet e Kuvendit të Shqipërisë.

Kjo paketë, e prezantuar në foltoren e Parlamentit nga vetë kryeministri Rama, synonte rregullimin e portaleve. I gjithë viti 2019 dhe një pjesë e mirë e 2020-s, do të shihte në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik një kalvar diskutimesh, konsultimesh dhe një sagë të vërtetë ligjore.

Pretendimi kryesor nga shoqatat e mediave në Shqipëri – rreth 15 të tilla (të cilat janë një çështje më vete) – pandehnin se kjo ishte një mënyrë autokratike për të censuruar portalet.

Rrjedhimisht, sipas tyre, ishte një cenim tërësor i lirisë së medias.

Nga ana tjetër, mbështetësit e ligjit në Parlament me në krye Ramën, e artikulonin shpesh se “kjo ishte e vetmja mënyrë për t’i vënë fre një shfrenimi pjellash mediatike, të cilat jo pak herë kishin cenuar dinjitetin njerëzor të personave dhe kishin dezinformuar publikun e gjerë”.

Ajo që shoqatat kërkonin, ishte të lejoheshin të vetërregullonin mjedisin mediatik.

Mirëpo, ky rregullim, nuk ka ndodhur që prej fillimit të mediave online në Shqipëri, i cili nuk është edhe aq i vonë. Përtej shtimit të portaleve në mënyrë masive, hapësirë për vetërregullim dhe kohë ka pasur, por nuk ka ndodhur.

Shkurtimisht, ligji kaloi, por pas dërgimit të tij në Venezia nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe pas disa rekomandimeve për rishikim nga Komisioni, Ligji Antishpifje është ngrirë. Në pritje për ridiskutim parlamentar tashmë, me Partinë Demokratike të kthyer në Parlament.

Si dhe sa?

Në vitin 2017, Conan o’Brien, drejtues i emisionit variete të mbrëmjes Conan, theu akullin duke thënë se 200 persona punonin për realizimit e spektaklit të përnatshëm të ekranit amerikan.

Kjo shifër mund të duket si marramendëse për një format të tillë të vetëm, por, për kë punon në mjedis mediatik, e kupton se shifra nuk është e ekzagjeruar.

Pavarësisht një rasti ideal si i lartpërmenduri, gjendja e mediave në Shqipëri është shumë larg nga ai realitet.

Sipas raportit të Institutit Shqiptar të Medias, në 84% të mediave online, nuk punojnë më shumë se 10 punonjës. Madje, në 58% të tyre, punojnë maksimalisht pesë gazetare. Flitet këtu për portale gjeneraliste që prodhojnë jo dhjetëra, por qindra lajme ditore.

Nga vetë përmasat, është më se e kuptueshme se si organizohet puna aty dhe sa autenticitet mund të ketë. Kjo, marrë parasysh edhe faktin se ka një mbulim të gjerë të ngjarjeve në gjithë orët e ditës.

Nuk shpëtojnë as formatet televizive nga kjo. AMA, nuk ka përgjegjësi për deklarimin e punonjësve.

Mediat nga ana tjetër, nuk kanë pasqyra ku bëjnë transparent stafin apo redaksinë.

Por, në rrugë jozyrtare, edhe formatet më të mëdha televizive, të cilat janë variete që zgjasin me orë në ekran, nuk përfshijnë një personel më të madh se 20-25 persona. Kjo është rezultantja e hulumtimeve nga Albanian Post.

Variete të tilla kanë pak nga televizionet mbarëkombëtare. Vendin më të madh e zënë formatet politike, të cilat janë jo pak herë edhe ditore.

Në to, maksimalisht punojnë deri në pesë gazetarë, të cilët kryejnë kërkimet dhe skedat e nevojshme për emisionet. Pra, sërish, një numër i ulët stafi për atë që kërkohet të përpunohet çdo ditë e natë.

Ligjërisht pa ligj!

Debati publik në Shqipëri është ende aktiv mbi çështjet e mediave, kryesisht ato online.

E vërteta është se mungesa tërësore e monitorimit të tyre, është një plagë mediatike.

“Mediat” po kthehen në pasqyrë të mediave, duke instaluar në to sistemin vrastar të kopjimit literal të lajmeve. Si të tilla, ato janë ente riprodhuese dhe jo opinionbërëse.

Është një fakt se shoqatat e gazetarëve, ashtu si e kanë ngritur zërin në këto dy vjet, mendojnë se kjo është censurë ndaj medias.

Por, fakt, është edhe modeli i vetëstrukturimit, i cili është i cunguar në Shqipëri.

Për të shkuar edhe më thellë, modeli i mirë mediatik jo vetëm mungon, por është edhe i deformuar në thelb. Mbi të gjitha, nga të ashtuquajturit portale.

Në këto raste, jo vetëm duhet diskutuar monitorimi që shteti detyrimisht duhet të bëjë për të parandaluar shpifjet, por edhe monitorimi që mediat duhet të bëjnë ndaj shtetit si pushtet i katërt.

Një monitorim, i cili është në shumicën dërrmuese i mangët. Akuza mbi pronarë mediash pranë pushteteve, sa vijnë e shtohen. Kjo, pa i penguar gjithsesi të publikojnë çfarë duan – ndoshta edhe me të drejtë.

Mbi këtë bazë, rrjedhimisht, pyetja shtrohet.

Me mbi 100, mbi 600, 800 apo edhe 1000 media në Shqipëri, kush monitoron kë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore