Shqipëria

Me vitin 2022, ndalohet importi i makinave me vit prodhimi para 2007-ës


Duke filluar që nga janari i këtij viti, në Shqipëri nuk do të lejohet më importi i makinave që janë më të vjetra se vit prodhimi i 2007-ës.

Ka qenë Drejtoria e Transportit Rrugor (DTRR), e cila ka rikujtuar rregullat e vendosura nga një vendim i qeverisë në 2018-ën, për të mbrojtur mjedisin nga makinat që nuk plotësojnë standardet e ndotjes.

Sipas vendimit, makinat e reja me 0 km, duhet të plotësojnë standardin euro 5, që të importohen. Ndërsa mjetet e tjera motorike me 0 km duhet të jenë euro 4 e sipër.

Kurse, për sa u përket makinave të përdorura, çështja ndryshon.

Ato që kanë bërë kilometra në një shtet tjetër, mund të importohen në Shqipëri nëse janë mbi standardin euro 3 dhe jo më të vjetra se 15 vite.

Ndërsa kjo vlen edhe për mjetet e tjera motorike të përdorura, si autobusë, kamionë apo motorë.

Në Shqipëri, sipas shifrave të Drejtorisë së Transporti janë mbi 720 mijë mjete motorike në qarkullim, ndërsa rreth 340 mijë prej tyre janë të vitprodhimeve më të vjetra se 2005-a dhe që nuk plotësojnë standardet e ndotjeve mjedisore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore