Shqipëria

Me kartë ID dhe kontroll nga policia, si do të funksionojnë bastet online?


Fidel Ylli, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), në një dalje televizive ka ndarë detaje nga drafti i mazhorancës për rikthimin e basteve sportive.

Ylli theksoi se personat që do të luajnë, do të jenë të identifikuar dhe shuma që do luhet, po ashtu.

“Ti do të vesh kartën ID, dhe do të futesh të luash online. Duke luajtur online, policia të kontrollon. Do të kontrollet shuma që luhet, do të jetë një kontroll i rreptë”, tregoi ai në “A2 CNN”.

Kështu për të me paratë nga taksat do të mund të ndihmohet sporti apo edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila do të jetë përfaqësuese në komision për ata persona që janë të varur nga bastet dhe duhet të rehabilitohen.

“Lajmi është, në ligjin e vjetër thuhej në një pikë që çdo 0.4% e fitimit të kompanive të basteve, çdo datë 10 të çdo muaji shkojnë në llogarinë e ministrisë së Kulturës, të Sporteve. Këto para shkonin në ministri të Financave dhe nuk i mori kurrë Sporti. Sepse mbyllte vrimat qeveria, një rrugë këtu, një ujësjellës këtu”.

Po ashtu ai ndau edhe një detaj tjetër nga drafti që shumë shpejt do të hidhet për konsultim publik.

“Është një agjenci që do t’i menaxhojë dhe do të jenë përfaqësues në këtë agjenci, nga Ministria e Arsimit, Financave, ajo e Përkrahjes Sociale, presidenti Komitetit Olimpik, ai i FSHF-së”.

Vetë kryeministri Edi Rama tha se të ardhurat e basteve online do të shkojnë për sportin, kulturën dhe teknologjinë.

Kreu i Qeverisë shtoi se shumë shpejt do ta fusë në agjendë miratimin e basteve online.

“Ne, siç tregon eksperienca nuk kemi mundur ta ndalim, njëjtë si vendet e tjera që nuk e kanë bërë”, tha ai referuar vijim të vendosjes së basteve në mënyrë informale dhe të paligjshme.

Kështu ai theksoi se, të gjitha të ardhurat, sipas ligjit do i kalojnë sportit, kulturës dhe teknologjisë.

Data 31 dhjetor 2018 ishte datat e fundit për mbylljen e të gjithave “lojërave të fatit” në Republikën e Shqipërisë.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave votoi Ligjin e ndryshuar të “lojërave të fatit”, i cili parashikoi mbylljen e të gjitha basteve sportive dhe ato online, garave të ndryshme, bingove dhe kazinove.

Ministri i Financave askohe, Arben Ahmetaj u tregua i prerë, duke theksuar se “nuk ka kthim mbrapa” për këtë vendim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore