Lojëra

Mbyllet versioni kinez i lojës Fortnite


Fortress Night, versioni kinez i lojës së famshme Fortnite, do të mbyllet.

Mirëpo, kjo ka ndodhur pa shpjegime.

Epic Games, kompania që zotëron Fortnite, nuk ka dhënë asnjë arsye për vendimin e marrë.

Është veç njoftimi që tregon se loja, e cila ka qenë e disponueshme në Kinë si test për dy vjet, do të marrë fund më datë 15 nëntor.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se ngjarje të ngjashme vijnë pasi Kina vendos kufizime strikte për kohën që fëmijët mund të kalojnë duke luajtur lojëra në internet.

Referuar njoftimit të dhënë, loja luftarake i ka ndaluar regjistrimet e reja më 1 nëntor, dy javë përpara mbylljes së planifikuar.

Fillimisht, loja u prezantua në Kinë në vitin 2018, në bashkëpunim me gjigantin e teknologjisë kineze, Tencent.

Për tregun kinez, shumë lojëra perëndimore do të duhet të ndryshohen ndjeshëm si për arsye rregullatore, ashtu edhe për ato kulturore.

Versioni kinez, Fortress Night, përfshin një sërë ndryshimesh nga Fortnite origjinal, duke përfshirë masa që synojnë kufizimin e kohës që lojtarët shpenzojnë në lojë.

Gjithashtu nuk disponojnë “mikrotransaksione” për të blerë artikuj shtesë në lojë me para reale.

Në gusht, rregullatori i videolojërave të Kinës njoftoi se moshat nën 18 vjeç do të kufizohen në vetëm një orë lojëra online të premteve, fundjavave dhe festave.

Prej kohësh, qeveria ka qenë e shqetësuar për kohën që të rinjtë kalojnë duke luajtur lojëra, tregon BBC.

Për shembull, një media shtetërore i cilësoi lojërat në internet si “opium shpirtëror” në fillim të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore