Lajme

Mbyllen shatërvanët në Milano – racionalitet të ujit në Itali për të luftuar thatësirën


Autoritetet në Milano kanë marrë vendimin për të mbyllur shatërvanët në vende publike, ndërsa Italia po përballet me një nga thatësirat më të këqija në dekada.

Kjo masë, e cila vjen pasi rajoni më i gjerë i Lombardisë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, do “t’u heqë prizën” 100 shatërvanëve dekorativë të qytetit. Pjesa tjetër do të fiket në ditët në vijim.

Shatërvanët, të cilët janë habitat i peshqve dhe bimëve, janë të përjashtuar nga rregulli.

Banorëve në qendrën e biznesit dhe modës u është kërkuar gjithashtu që të reduktojnë sa më shumë përdorimin e ujit në banesa.

Përveç kësaj, banorëve dhe pronarëve të bizneseve u është thënë që të mos e ulin ajrin e kondicionuar nën 26 gradë Celsius për të kursyer energjinë.

Disa pjesë të qytetit u goditën javën e kaluar nga ndërprerjet e energjisë elektrike, që besohet se janë shkaktuar nga një rritje e përdorimit të kondicionerëve në temperatura të larta.

“Ne duhet të marrim masa dhe besojmë se është e drejtë të bëjmë pjesën tonë”, deklaroi kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala.

Italia po përjeton një valë të nxehti intensive, të zgjatur, me temperatura që parashikohen të kalojnë 40 gradë Celsius në disa pjesë të vendit deri në fund të javës.

Thatësira ka goditur veçanërisht rajonet veriore, ku lumi i tharë Po, rruga më e gjatë ujore e Italisë, po bën kërdi në gjithçka, nga bujqësia dhe energjia hidroelektrike, deri te furnizimet me ujë të pijshëm.

Lumi Po, para (sipër) dhe pas tharjes (poshtë)

Fabrizio Curcio, shefi i Departamentit të Mbrojtjes Civile të Italisë, të hënën e 27 qershorit tha se niveli i Posë ishte deri në 80% më i ulët se zakonisht, si rezultat i reshjeve që ishin 40-50% nën mesataren e viteve të fundit.

Nga thatësira është prekur gjithashtu lumi Arno, ndërsa po shkatërrohen disa liqene, duke përfshirë ato në jug.

Curcio tha se, së shpejti pritet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në rajone të tjera, pasi qeveria vendosi masa kundër thatësirës, ​​të cilat mund të përfshijnë racionimin e ujit gjatë ditës në disa zona.

Kufizimet gjatë natës në përdorimin e ujit janë tashmë në fuqi, në disa qytete veriore, ndërsa shumë prej tyre varen nga furnizimi me ujë me kamion.

Attilio Fontana, presidenti i Lombardisë, tha se thatësira ishte më e keqja që rajoni kishte përjetuar ndonjëherë.

Sipas Coldiretti-t, shoqata e fermerëve, pasojat e thatësirës së luginës së Po në bujqësi vlerësohen në më shumë se 3 miliardë euro.

Marrë nga Corriere della Sera, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore